Nuk ka më asnjë dilemë për heqjen e imunitetit parlamentarë të ish-Ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediu në seancën plenare të pasdites. Ashtu siç ishte deklaruar paraprakisht, Këshilli i Imuniteteve dhe Mandateve, ka rënë dakord për t’i kërkuar parlamentit heqjen e imunitetit të Mediut, por pavarësisht nga kjo në raportin përfundimtarë të hartuar sot nga ky këshill janë përfshirë dy relacione të ndryshme të mazhorancës dhe opozitës.

Nga njëra anë mazhoranca mbështet heqjen e imunitetit si një mundësi për t’i hapur rrugë prokurorisë që  të zbardh ngjarjen e Gërdecit, ndërsa opozita mbështet kërkesën e akuzës ku theksohet që ish-ministri Mediu ka përgjegjësi për atë që ka ndodhur.

Ilir Bano: “Nuk ka absolutisht asnjë qëndrim në konkluzionin përfundimtarë në atë që Këshilli i Rregullores, i Imuniteteve dhe i mandateve i rekomandon Kuvendit të Shqipërisë të jap autorizimin për ndjekjen penale të zotit Mediu. Ne do të votojmë pro kësaj kërkese”.

Besnik Dervishi: “Ajo për të cilën ne ramë dakord është pjesa e dytë pra pjesa që rehatohet nga deputetët e opozitës dhe pjesa përfundimtare, ku konkluzion të gjithë deputetët e anëtarë të këshillit, kanë votuar pro pranimit të kërkesës së prokurorisë për dhënie autorizimi me procedim penal”.

Arjan Madhi: “Nga analiza e provave, rezultoi që Prokuroria nuk kishte konsideruar një numër të caktuar provash, a e thënë ndryshe ishin neglizhuar provat të cilat në mënyrë të pa kundërshtueshme provonin faktin që Forcat e Armatosura, jo vetëm kanë qenë të përfshira në procesin e hartimit të projekt-urdhrave të vendimeve të Ministrit të Mbrojtjes po nga ana tjetër ato kanë qenë dhe të përfshirë në mënyrë të drejtpërdrejt në procesin e demontimit”.

Prokuroria e Përgjithshme kërkoj heqjen e imunitetit të Mediut rreth një muaj e gjysmë më parë, ndërkohë që ish-Ministri i Mbrojtjes e ka konsideruar veten pa imunitet duke kërkuar, që parlamenti ta votonte sa më shpejt këtë kërkesë./tvklan.al

Gazetare: Anila Rama

Operator: Beni Haxhia