Një gjykatë në Kinë ka dhënë dënim me vdekje për një kanadez, i cili akuzohet për kontrabandë droge. Ky vendim gjyqësor duket se do të përkeqësojë marrëdhëniet mes Kinës dhe Kanadasë.

Robert Lloyd Schellenberg u dënua fillimisht me 15 vite burgim, por më pas gjykata tha se vendimi ishte shumë i butë. Pas dënimit me vdekje, Kryeministri kanadez Justin Trudeau ka reaguar menjëherë duke shprehur shqetësim.

“Është një shqetësim i madh për ne si qeveri, sikundër duhet të jetë për miqtë dhe aleatët tanë, se Kina ka vendosur të zbatojë arbitrarisht dënimin me vdekje, dhe në këtë rast përballë një qytetari kanadez”

, tha Tradeau.

36-vjeçari Schellenberg u arrestua në vitin 2014 dhe u akuzua se kishte planifikuar të trafikonte në Kinë 227 kg metamfetaminë. Gjykata kineze vendosi gjithashtu që të konfiskojë të gjitha pasuritë e tij.

Vet shtetasi kanadez mohoi të gjitha akuzat duke thënë se nuk është trafikant, por kishte shkuar në Kinë si turist.

Ky vendim i gjykatës në Kinë vjen pas arrestimit në Kanada me kërkesë të SHBA-së, Meng Wanzhou 46 vjeç, vajza e themeluesit të kompanisë gjigande Huawei. Ajo u lirua me kusht në muajin Dhjetor, por duket se janë vështirësuar marrëdhëniet mes Kanadasë dhe SHBA-së. /

tvklan.al