Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka nisur procedurat e verifikimit për gjyqtaren Elvana Çiçolli, vendimi i të cilës ka lënë pa ujë të gjithë qytetin e Përmetit. Televizioni Klan mëson se kërkesa për verifikim është iniciuar nga një ankesë e Drejtorisë së Përgjithshme të Ujësjellës Kanalizimeve.
Kjo drejtori kundërshton vendimin e gjyqtares Çiçolli për të pezulluar punimet për ndërtimin e ujësjellësit të ri të Përmetit, që do t’i jepte njëherë e mirë zgjidhje problemit të furnizimit me ujë të pijshëm në këtë qytet.
Në 40 vite banorët e Përmetit nuk kanë njohur investime në këtë sektor dhe marrin ujë të pijshëm vetëm 1 orë në ditë.
Bashkia e Përmetit dhe Ujësjellës Kanalizimet zhvilluan një tender për këtë projekt, i cili u fitua nga një kompani private.
Por pasi ka nisur punimet, ajo është njohur me një vendim të gjyqtares Çiçolli për t’i ndërprerë punimet. Kompania e quajti këtë vendim flagrant në kundërshtim me ligjin.
Vendimi i gjyqtares Elvana Çiçolli jo vetëm ka shkaktuar kosto për kompaninë, por edhe për qytetaret e Përmetit, pasi bllokimi i punimeve do të çojë në shkeljen e afateve.
Këshilli i Lartë i Drejtësisë do të verifikojë nëse vendimi i saj është në përputhje me ligjin apo është bërë në shkelje të tij.
Në rast se do të faktohen pretendimet e kompanisë fituese për shkelje të ligjit, atëherë KLD do të nisë procedurat për masë ndëshkimore ndaj gjyqtares Çiçolli.
Tv Klan