Debati që ka përfshirë partitë politike shqiptare për formulën e krijimit të koalicioneve parazgjedhore. Shihet nga ekspertët e zgjedhjeve si zhvillim normal si sistemit të ri zgjedhor proporcional, rajonal që u përcaktua në kushtetutë.

Ish-kryetari i KQZ Kristaq Kume thotë se ky sistem u jep përparësi koalicioneve pas zgjedhore, por nuk përjashton as ato para zgjedhore.

Kristaq Kume: “Kushtet për të krijuar koalicione mund të jenë të ndryshme, edhe koalicionet mund të jenë të ndryshme nga njëri rajon në tjetrin. Pra nuk bëhet fjalë më tashmë për koalicione të cilat do të jenë të tilla të formuara për të gjithë vendin. por në një rajon mund të bëhet një bashkim i caktuar subjektesh zgjedhor, në një rajon tjetër një bashkim tjetër.”

Kume shpjegon dhe mënyrën e përllogaritjes së mandateve të deputetëve në koalicionet e përbëra parazgjedhore.

Kristaq Kume: “Në rastin e koalicioneve të përbëra votuesi voton për subjektin brenda koalicionit. Në këtë mënyrë votat kur numërohen, ato vota të gjithë subjekteve shumohen dhe këto janë vota të koalicionit dhe në bazë të këtyre votave që ka marrë koalicioni brenda rajonit, pra një rajon zgjedhor të caktuar, do t’i caktohet numri i deputetëve që merr ky koalicion dhe mandej votat për çdo subjekt për të cilin ka votuar zgjedhësi, numërohen por llogari të subjektit dhe në bazë të përqindjes së votave që ka marrë çdo subjekt  brenda këtij koalicioni, do ndahen vendet që ka marrë koalicioni tashmë brenda rajonit.”

Por ish-kreu i KQZ-së thotë se të gjitha skemat e koalicioneve të përfolura do të marrin formë përfundimtare në varësi të përcaktimeve që do të ketë kodi zgjedhor, për shpërndarjen e 140 vendeve të parlamentit nëpër rajone.

Kristaq Kume: “Problemi i mënyrës së ndarjeve të vendeve të parlamentit, në radhë të parë në rajone dhe pastaj mënyrës së ndarjes së këtyre vendeve brenda rajoneve. Pra mund të përdoren formula të ndryshme për tu llogaritur se sa duhet të jetë përqindja e nevojshme që një subjekt i caktuar në një rajon të caktuar të arrijë të marri një deputet.”

Hartimi i kodit të ri zgjedhor pritet të përmbyllet në muajt e parë të sesionit parlamentar për të krijuar mundësinë që infrastruktura zgjedhore të jetë gati në zgjedhjet parlamentare të vitit 2009./tvklan.al

Gazetare: Anila Rama