Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka lënë në fuqi masat e sigurimit “arrest në burg” për Plarent Dervishin dhe Julian Meçen. Dy të dyshuarit nuk kanë folur në gjykatë. Anëtarët e ish-bandës së Durrësit akuzohen për disa ngjarje të rënda kriminale.
Për vrasjen e Klodian Saliut, e ndodhur në Shkurt të 2005-ës, Dervishi është zyrtarisht i pandehur dhe çështja ndodhet në fazat e fundit të gjykimit. Çështja tjetër për të cilën ai dhe Julian Meçe akuzohen është atentati i ndodhur në 1 Nëntor të 2019-ës tek mbikalimi i Shkozetit ku u plagos ish-prokurori Arjan Ndoj dhe Aleksandër Laho, i njohur si “Rrumi i Sukthit” dhe Andi Maloku, shoferi i ish-prokurorit, i cili humbi jetën një javë më vonë në spital.
Sipas SPAK, Plarent Dervishaj, Julian Meçaj së bashku me persona të tjerë akuzohen edhe për sigurim të kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje në dëm të shtetasve Vullnet Muça, Genci Maloku dhe Arben Mërkuri. Atga akuzohen për “shkatërrim të pronës me eksploziv”.
Dervishaj akuzohet nga SPAK dhe ndaj tij është caktuar masë sigurimi edhe për çështjen e trafikut të drogës jashët vendit. Plarent Dervishaj, u hetua nga ish-Prokuroria e Krimeve të Rënda në kuadër të dosjes për bandën e Durrësit por që në fund arriti të fitonte betejën me drejtësinë dhe të shpallej i pafajshëm.
Dy anëtarët e ish-bandës së Durrësit, Plarent Dervishi dhe Julian Meçe u deportuan nga Dubai në Shqipëri. Dervishi ishte arrestuar disa vite me parë në Dubai, por arriti të fitonte lirinë për të qëndruar atje.
Gjithashtu Klan News ka mësuar se Gjykata Kombëtare e Spanjës vendosi të ekstradojë në Shqipëri, Lulzim Berishën, ish-kreun e bandës së Durrësit. Megjithatë Berisha pritet të apelojë vendimin në Gjykatën e Lartë në Spanjë. Dhe ai akuzohet nga SPAK si i përfshirë në vrasjen e Klodian Saliut. Lulzim Berisha u lirua me kusht nga burgu në vitin 2016, por Gjykata e Lartë anuloi këtë vendim vitin 2021 duke vendosur rikthimin e tij në qeli.
Klan News