Itali- Një armë, 16 kilogramë marijhuanë, 6 kilogram kokainë dhe mbi 120 mijë Euro kesh është bilanci i një operacioni të kryer nga policia në Ravena. Në pranga janë vënë dy shqiptarët, një 35 vjeçar dhe një 24-vjeçar, kushërinj me njëri tjetrin. Sipas autoriteteve lokale, ky është një nga operacionet anti-drogë më të rëndësishme të zhvilluar që nga fillimi i vitit.
35-vjeçari rezultonte i dënuar më parë në Itali, por kishte hyrë në shtetin fqinj me një dokument të rregull, pasi ishte në martuar në vendin tonë dhe kishte mbajtur mbiemrin e gruas.
Policët prej disa ditësh kishin kontrolluar zonën dhe në fund arritën të ndalonin dy shqiptarët të cilit në momentin e arrestimit ishin në një makinë tip “Alfa Romeo”.
Ata kishin rreth 3.000 euro në makinë dhe para agjentëve nuk kishin qenë në gjendje të tregonin origjinën e tyre. Pas ndalimit policia kontrolloi edhe dy banesa në Bagnacavallo, ku gjeti 20,000 Euro dhe 16 kilogram marijuanë. Por “surpriza” ndodhi gjatë kontrollit të imtësishëm të bërë në makinë.
Tek kondicioneri i makinës policia zbuloi 24 pako të gatshme ku të gjitha bashkë përmbanin 6.2 kilogramë kokainë, një shumë prej 100 mijë Eurosh, dhjetëra plumba për armë dhe një pistoletë.
Zyrtarët e policisë italiane kanë deklaruar se shqiptarët nuk ishin shpërndarës të thjeshtë, por trafikantë të mirëfilltë që furnizonin Ravenën dhe qytete të tjera me drogë dhe e merrnin atë nga vendet e Europës Lindore./tvklan.al