Rreth 19 mijë gjoba janë vendosur gjatë javës në të gjithë vendin nga policia rrugore për drejtuesit e automjeteve. Masat administrative sipas policisë janë aplikuar për shpejtësi tej normave të lejuara, për përdorim të celularit gjatë drejtimit të mjetit, për mospërdorim të rripit të sigurimit, për parakalime të gabuara, për mos vendosje të kaskës mbrojtëse, manovra të rrezikshme në rrugë, për drejtim të mjetit nën efektin e alkoolit, si dhe për parkim të gabuar.
Nga monitorimi i akseve rrugore me mjetet inteligjente u vunë në pranga 30 shoferë, të cilët u konstatuan duke drejtuar mjetet e tyre në gjendje të dehur dhe pa patentë.
Nga e hëna deri të dielën policia e shtetit deklaron se nëpërmjet radarëve dhe poliskanëve janë evidentuar 569 drejtues automjetesh të cilët qarkullonin me shpejtësi 40 deri në 100 km në orë mbi normën e lejuar. Ata janë ndëshkuar me dyfishin e masës administrative maksimale dhe zbritje deri në 8 pikë nga Leja e Drejtimit. Për javën në vijim, Policia Rrugore deklaron se ka marrë një sërë masash shtesë në kuadër të vitit shkollor.
Klan News