Një rikthim te kuqezinjtë për Mërgim Mavraj dhe Ermir Lenjanin, të cilët gjejnë një trajner të ri. Kapiteni Mavraj i cili nuk do të jetë ndaj Islandës, pasi ka edhe një ndeshje pezullim, dha përshtypjet e para për Edy Reja.
“Kam biseduar me trajnerin, duket shumë simpatik, i qetë, pak si babai jonë, është i buzëqeshur, i sjellshëm”.
Ermir Lenjani, i cili nuk pati një marrëdhënie të qetë me Christian Panucci, tregon ndjesinë e krijuar në momentin kur u konsiderua zgjedhje e dytë pavarësisht formës së mirë që po kalonte. Lenjani refuzoi të kthehej te Kombëtarja derisa Panucci të ishte aty.
“Më erdhi inat në atë moment çfarë ndodhi me Panucci, por ai nuk mund të bëhet më shqiptar se unë”.
Vëmendja duhet përqëndruar tek sfida me Islandën.
“Unë mendoj se ndeshja me Islandën është vendimtare dhe është vështirë”, thotë Lenjani.
“Akoma nuk e kemi përqëndrimin për Islandën dhe me udhëtimin në Gjermani do të jemi më të fokusuar”, shprehet Mavraj.
Kombëtarja do të qëndrojë e grumbulluar në Durrës deri mëngjesin së dielës dhe më pas do të udhëtojë drejt Frankfurtit për të vijuar përgatitjet për ndeshjen e 8 Qershorit me Islandën në Rekjavik.
Tv Klan