Të paktën 15 mijë tifozë pritet të jenë të pranishëm në ndeshjen miqësore të së premtes Shqipëri – Kili. Drejtori i komunikimit në FSHF, Fation Kodra gjendet në “Enio Tardini” të Parmës duke u kujdesur për përgatitjet e fundit.
“Atmosfera e mirë, përgatitjet kanë shkuar shumë mirë, deri tani pa probleme. Shitja e biletave ka ecur me ritme shumë të mira. Priten të paktën 15 mijë tifozë në stadium”, tha ai.
Veç Kilit, kombëtarja shqiptare do të luajë edhe kundër Suedisë, por sa do ti shërbejnë këto dy ndeshje përfaqësueses?
“Miqësoret e Marsit janë testi i fundit që të gjithë lojtarët kanë vlerën e tyre, formën e tyre përpara Europianit. Kundërshtarët janë të fortë, kanë ndryshuar stafet teknike dhe pritet që ndeshjet të jenë të forta”, tha Kodra.
Kombëtarja shqiptare e futbollit është në përgatitjet e fundit në kryeqytet për dy miqësoret. Paraditen e së enjtes kuqezinjtë do të udhëtojnë drejt Parmës.
Tv Klan