Shqipëria do të zhvillojë të mërkurën në Tiranë miqësoren e parë pas hedhjes së shortit të kualifikueseve të euro 2012. Trajneri Josip Kuzhe ka nisur prej dy ditësh grumbullimin në Durrës, por vetëm në seancën e pasdites pritet ta ketë thuajse të kompletuar ekipin, me përjashtim të disa prej futbollistëve të cilët luajnë në Ukrainë.
Sfida me Irlandën e Veriut ka kthyer në grup pas dëmtimit kapitenin Altin Lala dhe portierin Arjan Beqaj.
Klodian Duro: “Grupi i lojtarëve që ka bërë, ose që ka qenë baza kryesore është i gjithi dhe çdo miqësore ka vlera për ne pavarësisht së është Irlanda përballë apo çdo ekip tjetër.”
Gjergji Muzaka: “Përsa i përket këtij grumbullimi mund të them që trajneri ka në dispozicion të gjithë lojtarët më të mirë të mundshëm edhe do bëjë zgjedhjen më të mirë besoj. Thjesht të jesh pjesë e këtij grupi ku janë gjithë lojtarët prezent është një motivim.”
Kjo është ndeshja e 9 me Irlandën e Veriut me të cilën jemi takuar vetëm në aktivitet zyrtare. Kuqezinjtë numërojnë 3 rezultate pozitive me irlandezo-veriorët. Një fitore në vitin 1997 në fushën asnjëanëse të Zyrihut dhe dy barazime.
Kundërshtari ynë ka mbërritur që sot në Tiranë. Ndërsa ka 4 mungesa mes tyre lojtarë titullarë./tvklan.al
Gazetar: Endrit Sauku