S’ka njeri pa huqe dikush me pak e të tjerë më shumë. Pra, “Të gjithë me huqe”. Kështu në fakt titullohet komedia më e fundit që po shfaqet në Teatrin Kombëtar. Publiku e ka pritur ngrohtë magjinë e aktrimit të ikonave të teatrit si Roland Trebicka apo Rajmonda Bulku. Komedia e Laurent Baffie ka derdhur një lum batutash dhe të qeshurash për spektatorin.
Historia nis kështu. Një grup personash të gjithë me simptoma të çuditshme, i nënshtrohen pa kuptuar një terapie grupi. Bashkëbisedimet mes personazheve të skalitur, kanë ndezur shkëndija gazmore, por edhe momente reflektimi. Laurensi, roli i interpretuara nga Roland Trebicka, është një taksixhi që vuan nga aritmomania, apo thënë ndryshe bën pafund llogari me mend, kënaqësia e tij është kur kryen veprime me numra të vështirë. Rajmonda Bulku, nën petkun e Blashas, ndjehet e kërcënuar çdo moment nga viruset apo sëmundjet, higjiena është fiksimi i saj. Ndërsa Genci Fuga interpreton Bobin, gjeniun e lojërave kompjuterike, por që kategorikisht nuk shkel asnjëherë mbi vijat në rrugë në respekt të simetrisë.
Në galerinë e huqeve gjendet edhe ajo e përsëritjes së çdo fjale apo fjalie dy herë si edhe e huqit te kontrollit pa fund të sendeve. Ndërsa mjeku po vonohet personazhet fillojnë dhe ndajnë hallin mes tyre dhe përpiqen që të ndihmojnë njeri tjetrin. Katalizatori i bisedave është Fredi, personazhi që shtirej si i sëmurë nga përdorimi i fjalëve të pista, por që në fund arriti që falë bashkëpunimit të zgjidhë hallin e të gjithëve.
Komedia “Të gjithë me huqe” erdhi nën regjinë e Gëzim Kames dhe skenografisë së Genc Shkodranit./tvklan.al
Gazetar Fjorald Zguro