Rajmonda Bulku është vajza e madhe e familjes, ndërsa motra e saj Venera, është 5 vite më e vogël. Ndonëse prozhektorët dhe vëmendja kanë qenë gjithnjë mbi Rajmondën, për këtë intervistë ekskluzive të aktores dhe nënës së saj në “Rudina” në Tv Klan, vajza e vogël e familjes ka përgatitur një surprizë.
Ajo ka dërguar një letër në program ku ndan disa nga kujtimet e paharrueshme me secilën prej tyre dhe u dërgon dashurinë e saj.
“Përshëndetje mami dhe Monda, miket e mia më të mira! Mami, faleminderit për mënyrën që na rritët. Je një gjyshe dhe stërgjyshe e mrekullueshme! Më kujtohen fundjavat në Gjirokastër kur dilnim për piknik nga liqeni i Viroit apo edhe pushimet e bukura në Divjakë kur babi shkonte në repart për stërvitje. Monda, motra ime! Sa mirë që të kam! Më ke qëndruar pranë dhe kam mësuar prej teje. Kemi shumë kujtime bashkë. Të kujtohet kur mbaroja shkollën e më merrje me vete kur xhiroje? Ishin ditët më të bukura. Monda, ti ke një natyrë të ngrohtë dhe për mua je si një engjëll mbrojtës. Ju dua shumë”.
Por nuk mbaroi me kaq. Rajmonda është 4 herë gjyshe, ndërsa Ardita 5 herë stërgjyshe. Nipërit e stërnipërit kanë dërguar gjithashtu një video ku u kanë shprehur dashurinë e tyre./tvklan.al