Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Besnik Dervishi, priti në një takim zyrtar ambasadorin e Bashkimit Evropian në Tiranë, Silvio Gonzato.

Në takim u diskutua mbi progresin e bërë nga Shqipëria në fushat e veprimtarisë që mbulon Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, si e drejta e informimit, mbrojtja e të dhënave personale dhe të dhënat e hapura.

Dervishi vlerësoi ambasadorin Gonzato për mbështetjen e Bashkimit Europian ndër vite dhe në veçanti për ekspertizën përgjatë procesit të harmonizimit të plotë të ligjit të ri “Për mbrojtjen e të dhënave personale” me Rregulloren e Përgjithshme Evropiane të Mbrojtjes së të Dhënave (GDPR).

Ai theksoi se sfidë për zyrën e Komisionerit mbetet zbatimi i plotë i ligjit, nevoja për mbështetje me kapacitete profesionale, dhe veçanërisht ndërgjegjësimi i qytetarëve dhe kontrolluesve publikë e privatë me risitë e legjislacionit, si dhe rritja e kulturës së mbrojtjes së të dhënave personale. 

Nga ana tjetër, ambasadori Gonzato vlerësoi punën e deritanishme të Zyrës së Komisionerit, duke shprehur angazhimin e tij të plotë për mbështetjen e këtij institucioni në përmbushjen dhe realizimin e objektivave në të ardhmen.