Lajme Arkiva – TV Klan 2003
Komisioni dypalësh për reformën zgjedhore, ka mbërritur në një pikë kritike dhe rrezikon largimin e opozitës prej tij. Sipas bashkëkryetarit demokrat të komisionit Jemin Gjana, shkak janë bërë socialistët.
Në mbledhjen e fundit ata kanë hedhur poshtë amendamentet e firmosura prej tyre, për rolin e policisë dhe administratën shtetërore në fushatë elektorale dhe kanë paraqitur një variant krejt të ndryshëm nga ai i pranuar me konsensus. Për zotin Gjana, kjo është e papranueshme për opozitën,
Jëmin Gjana:- “Unë gjykoj, se rrezikon jo vetëm një pjesëmarrje të PD-së por edhe të përfaqësuesve të opozitës, në komision dhe ne ua kemi bërë të qartë në atë mbledhje, një mbledhje që zgjati disa orë rresht, se një sjellje e tillë është një mënyrë, për ta penguar dhe për ta bllokuar punën në komision. Ne i konsiderojmë ato amendamente tashmë të miratuara në komision dhe nuk pranojmë t’u rikthehemi më”.
Ky reagim i PD, vjen një ditë, pasi Presidenti i Republikës, Alfred Moisiu vlerësoi në parlament, se ngadalësimi i reformës zgjedhore do të dëmtojë rëndë imazhin e Shqipërisë./tvklan.al
Gazetare – Elona Meço