Lajme Arkiva 2003

Dëshmitë e politikanëve i dhanë fund kontrollit të transparencës së bërë me fajdet nga parlamentarët. Deri në kufirin mes dy ditëve, njerëzit që kanë firmosur fatet e parave të shqiptarëve ndajnë versionet e tyre për to.

Ilir Meta: Unë di të them se vendimi ne parim ka qenë dhe mbetet shumë i drejtë.

Sali Berisha: Duhet të dëshmonin gjerësisht para këtij komisioni. I pari duhet të isha unë pa dyshim.

Ish kryeministri Ilir Meta ka shkarkuar përgjegjësinë e procesit të shitjes, menaxhimit të 20 mijë metrave tokë në burgun e jugut të falur nga shteti, shoqërisë Kamberi, institucioneve financuese , por mbi të gjitha grupit drejtues të drejtuar nga Arapi.

Ilir Meta: Në qoftë se do të kisha marrë informacion jo vetëm nga grupi i mbikëqyrjes por nga çdo institucion tjetër që ishte i ngarkuar për zbatimin e këtij vendimi apo qoftë edhe nga disa kreditor do të ishte një vendim i tillë do të detyrohesha të kërkoja sqarime, të rishikoja vendimin e qeverisë, etj.

Ndërprerja e energjisë elektrike në një nga sallat e kryesisë së kuvendit nuk e pengoi ish kreun e shtetit në periudhën e fajdeve Sali Berisha të bënte diferencën e menaxhimit të parave me këste në qeverisjen e tij dhe asaj socialiste. Sipas Berishës dhënia dhe marrja e parave me fajde në kohën e tij përkthehej veprimtari individuale dhe jo e ndihmuar nga shteti, ndërsa në kohën e Nanos:

Sali Berisha: Në rast se plani i krijuar para ’97 ishte tërësisht i krijuar pa lidhje me shtetin, dëmi që u krijua pas ’97 është fund e krye veprimtari shtetërore dhe jo veprimtari private e firmave rentiere.

Berisha nuk la pa përmendur dje në komision se ishte detyrë e tij dhe e Partisë Demokratike në ’97 të dilnin në opozitë pasi qytetarët kishin bindjen se PD mori paratë e tyre, por Berisha kujtoi edhe njëherë se paratë e shqiptarëve në firmat piramidale janë të pastra.

Sali Berisha: Kompanitë rentiere nuk ishin të atyre që i drejtonin, kompanitë rentiere u takonin qindra mijëra investitorëve që i kishin vendosur paratë aty. Përdorimi i fondeve të ngrira në banka për investime të tjera, por qoftë edhe krijimi i disa lehtësirave bënte të mundur zgjidhjen plotësisht të kompanive rentiere edhe pasi ishin fiksuar zgjedhjet, sepse një zgjidhje politike do të bëhej, zgjidhja politike ishte e domosdoshme sepse njerëzit ishin bindu se qeveria e Partisë Demokratike kishte marrë paratë. Për mua qeveria e Partisë Demokratike nuk mund të qëndronte më në pushtet.

Duke mos lënë jashtë implikimit Farudin Arapin kreu i opozitës tha:

Sali Berisha: Pse Arapi dhe jo një tjetër, sepse Arapi vetëm nga Bashkim Driza kishte marrë sipas burimeve 520 mijë dollarë.

Nuk kam vepruar si person fizik, ka qenë argumenti thelbësor i dëshmisë së ministrit aktual të ekonomisë Arben Malaj, i cili ka shpjeguar se firmat rentiere nuk mund të kaloheshin në aksionere ashtu siç pretendoi Berisha.

Arben Malaj: I gjithë aktiviteti im ka qenë kurdoherë ligjor, nuk është prekur asnjë qindarkë nga piramidat dhe ka qenë në përputhje të plotë me kuadrin ligjor dhe janë diametralisht të kundërta me sajimet që bën këtu zoti Berisha se ato mund të funksionojnë. Nuk gjendet asnjë praktikë meqë më pyetët nga pikëpamja shkencore në asnjë vend të botës që janë ndarë kompanitë në piramidale apo në rentiere. Këto fenomene kanë qenë në Rumani në trajtën e shoqërive “Claritas” dhe janë mbyllur menjëherë, kanë qenë në Rusi dhe janë futur edhe në normat shtetërore dhe janë mbyllur menjëherë.

Komisionit hetimor të fajdeve i mbetet të përgatisë raportin përfundimtar të punës 3 mujore të tij për ta paraqitur atë më pas në seancë plenare kuvendit./tvklan.al