Komisioni i posaçëm për reformë zgjedhore i ka dhëne fund punës për miratimin e kodit të ri zgjedhor. Një ditë përpara përfundimit të afatit të tij, të shtyrë disa herë, anëtaret e komisionit kanë mbyllur në 183 nenet e kodit, variantin integral të tij, të kundërshtuar në disa pika nga parti të vogla parlamentare. Në një njoftim të zyrës së shtypit të kuvendit që mban emrat e dy bashkëkryetarëve Rusmali e Xhafa theksohet se drafti i kodit u miratua me konsensusin e të gjitha forcave politike të pranishme në mbledhjen e Komisionit. Drafti përbën bazën ligjore në të cilën do të zhvillohen zgjedhjet e reja të përgjithshme dhe ato vendore, pas miratimit të ndryshimeve të sistemit zgjedhor në Kushtetutë.
Fatmir Xhafa: “Përgjegjësia e pra dhe kryesore ka të bëjë me sistemin, ndryshimin e sistemit. Sot nuk kemi më një sistem mazhoritar por kemi një sistem proporcional-rajonal. Së dyti ka të bëjë me administrimin, me thjeshtëzimin e administrimit. Së treti ka të bëj me numërimin, është një nga elementet e rëndësishëm siç edhe mund të jeni njohur për shkak jo vetëm të një transparence të gjerë që siguron ky rregullim ligjorë që kemi bërë edhe për shkak të futjes teknologjisë në procesin e numërimit. Po kështu edhe në procesin e ankimimit dhe një sërë elementesh të tjerë siç janë financimi dhe media”.
I pyetur nga gazetaret bashkëkryetari socialist duke anashkaluar një koment të drejtpërdrejte mbi grevën e 10 deputetëve theksoi se komisioni bëri punën për të cilën ish mandatuar prej kuvendit.
Fatmir Xhafa: “Komisioni i reformës zgjedhore ka pasur për detyrë si qëllim të tij pikërisht të përgatisi projektin që do t’i paraqitet kuvendit. Komisioni me mbledhjen e sotme e konsideron të përfunduar detyrën e tij në përputhje me vendimin përkatës të kuvendit të Shqipërisë”.
Tashme i takon kuvendit të thotë fjalën e fundit për kodin e ri zgjedhor. bashkëkryetari socialist Xhafa nuk dha afat, por la të kuptohet se ndoshta javën që vjen kuvendi do t’i vëre vulën përfundimtare ligjit të ri zgjedhor./tvklan.al
Gazetare: Menada Zaimi
Operator: Isdor Rudho