Komisioni i Sigurisë Kombëtare ka miratuar vetëm me prezencën e mazhorancës dhe pa praninë e medias, projektligjin për disa ndryshime në Shërbimin Informativ Shtetëror.
Një ditë pasi ky komision dëgjoi edhe vërejtjet e kreut të këtij shërbimi ka shqyrtuar dhe miratuar nen për nen për më tepër se 4 orë draftin në fjalë.
Sipas kryetarit të Komisionit Parlamentar të Sigurisë, Leonard Demi, draftit i janë bërë disa ndryshime thelbësore.
Leonard Demi: “Komisioni bëri disa ndryshime të rëndësishme, që forcoi më tej pavarësinë e këtij institucioni siç është ndryshimi që kemi bërë ne paragrafin 10 të nenit 3. Standardet demokratike dhe transparencën e tij në përputhje me kërkesat e vendeve të NATOS-s. Këto ndryshime rritin më tej veprimtarinë SHISH-it në përputhje me kërcënimet e sotme që i bëhen sigurisë sonë kombëtare dhe më gjerë. Si për shembull ne kemi futur veprimtarinë e tij kundër përhapjes së anëve të shkatërrimit në masë. Ndryshimet që i propozohen seancës plenare morën parasysh gjithashtu edhe sugjerimet e reja të bashkëhartuesve të këtij projektligji .”
Projektligji ka marrë dhe miratimin e Komisionit të Ligjeve dhe pritet që ditën e enjte të shqyrtohen në seancë plenare.
Amendamentet që mazhoranca ka bërë nëpërmjet këtij drafti ligjit aktual për shërbim informative janë kundërshtuar nga opozita./tvklan.al
Gazetare: Elja Zotka