Delegacioni i Asamblesë Parlamentare të NATO-s kryesuar nga Sergio De Gregorio i ka kërkuar opozitës shqiptare që të vijojë të qëndrojë në parlament, pasi në këtë mënyrë bllokohen të gjitha reformat integruese euroatlantike të vendit.
Sergio De Gregorio: “Kuadri i normativave dhe sistemi ligjor që duhet të adaptohen për të afruar vendin me sistemet e NATO-s ka nevojë për një parlament që të bëjë ligje dhe të vejë vendin në pozita për të qeverisur. Jemi të bindur se Shqipëria luan një rol shumë të rëndësishëm për paqen dhe stabilitetin në rajonin e Ballkanit. Ajo që kemi dëgjuar sot më bën t’i kërkoj politikës shqiptare një veprim përgjegjësie të madhe në lidhje me detyrimet që Shqipëria ka ndaj NATO-s.”
Për zotin De Gregorio kjo situatë nuk është aspak e lehtë për t’u zgjidhur edhe pse është thënë qartë edhe nga vëzhguesit ndërkombëtarë se këto kanë qenë zgjedhjet më të mira që Shqipëria ka realizuar ndonjëherë.
Sergio De Gregorio: “Kemi takuar shumë kolegë parlamentarë dhe disa të opozitës, madje perceptimi jonë është se kjo situatë nuk do të ketë një zgjidhje të lehtë. Sipas nesh kemi një qëndrim të opozitës që kërkon të paralizojë aktivitetin e parlamentit për plotësimin e kërkesës për rinumërimin e votave, e cila për ne mesa duket nuk mund të plotësohet. Shumë vëzhgues të huaj, disa edhe përfaqësues të Asamblesë së NATO-s kanë qenë në Shqipëri gjatë zgjedhjeve dhe kane certifikuar se votat nuk janë manipuluar madje është thënë se këto kanë qenë zgjedhjet më transparente dhe sipas standarteve të realizuara.”
Komentet e delegacionit të Asamblesë Parlamentare të NATO-s u bënë në mbrëmje në mbyllje të një vizitë dy ditore në Shqipëri, ku ata u takuan me krerët e shtetit të qeverisë dhe opozitës./tvklan.al