Buxheti i vitit 2010 u përgjigjet te gjitha politikave prioritare te Ministrisë se Brendshme ne fushën e sigurisë dhe ne veçanti ne intensifikimin e luftës me zero tolerance ndaj krimit te organizuar dhe trafiqeve ilegale.
Kështu u shpreh numri një i Ministrisë se Brendshme, Lulzim Basha, gjate diskutimit te projektbuxhetit për vitin 2010 ne komisionin e sigurisë kombëtare.
Sipas zoti Basha plotësimi me sukses i këtyre detyrimeve mbeten kusht dhe prioritet për qeverinë lidhur me integrimin e vendit dhe liberalizimin e vizave.
Lulzim Basha: “Buxheti i përgjigjet te gjitha politikave prioritare të qeverisë ne fushën e rendit publik, në fushën e sigurisë dhe në veçanti në prioritetet kryesore politike që janë intensifikimi i luftës kundër krimit. Ligjet përkatëse antimafia dhe ai për konfiskimin e aseteve bëjnë të mundur ngritjen e luftës kundër krimit të organizuar në një nivel të ri dhe policia e shtetit me teknologji të përmirësuara jo vetëm në nivel qendror, por dhe nivel lokal do të jetë plotësisht në gjendje të përballojë kërkesat dhe objektivat e vëna për vitin 2010. Plotësimi me sukses i këtyre detyrimeve në vijimësi po kështu është një kusht i rëndësishëm sa i përket integrimit evropian të vendit, por dhe procesit të liberalizimit të vizave. Shqipëria në tërësi renditet në vendet e para sa i përket kërkesave për ekzekutimin fletë-arrestesh drejtuar Interpolit. Lufta kundër trafikut të qenieve njerëzore ka provuar të jetë një praktikë suksesi duke zhvendosur qartësisht Shqipërinë nga lista e vendeve domethënëse transit”.
Duke u ndalur ne mënyrë te veçante tek sigurimi i kufijve, një nder kushtet e përcaktuara nga ndërkombëtaret për liberalizimin e vizave, kreu i Ministrisë se Brendshme tha se tashme Shqipëria përmbush kushtet e përcaktuara ne udhërrëfyesin për vizat.
Lulzim Basha: “Sa i përket kriterit taksativ të sigurisë së kufijve Shqipëria sot plotësisht përmbush të gjitha kushtet e numëruara në udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave. I përmbush ato në rrafshin numëror plotësisht dhe njësoj si çdo vend tjetër i Ballkanit Perëndimor, i cili sot ka përfituar apo është në prag të përfitimit faktik të lëvizjes së lirë, i përmbush ato në rrafshin cilësor edhe më lart se disa prej këtyre vendeve, të cilat do të përfitojnë së shpejti nga lëvizja e lirë. Sistemet tona, siç është ai TIMS, siç është Datacomi, sistemi Memex, janë cilësisht superiore për vlerat teknike. E vetmja gjë që mbetet në këtë drejtim është që misionet e verifikimit të komisionit evropian për kufirin të shpresojmë të përshpejtohen dhe të vijnë në periudhën Shkurt-Mars. Do të vërtetoj këtë që ne kemi konstatuar në terren”.
Sigurimi i kufijve dhe ritmi i prodhimit te pasaportave biometrike dhe siguria e tyre u përshëndeten gjate javës se shkuar si nga Ministri i Brendshëm italian, Roberto Maroni, ashtu edhe nga ambasadoret e Francës dhe Suedisë ne vendin tone./tvklan.al
Gazetare: Jolldiz Mitro