Lajme Arkiva 2003

Komisioni parlamentar i Ekonomisë ka rrëzuar amendamentet në kodin doganor për mbylljen e magazinave doganore të propozuara nga Partia Demokratike sipas nënkryetarit të tij demokratit Ridvan Bode, grupi parlamentar i opozitës do të marrë një vendim përfundimtar për qëndrimin e tij pak para seancës ku pritet të votohet të enjten për mbylljen e dyqaneve pa taksa.

Për miratimin në parlament të këtij kushti të vënë në parlament nga Fondi Monetar Ndërkombëtar në këmbim të marrëveshjes me Shqipërinë, duhen 84 vota të cilat mazhoranca nuk i ka siguruar në votimet e mëparshme.

Ministri i Financave Kastriot Islami ka kërkuar nga komisioni i ekonomisë, që kjo çështje të mos politizohet nga kuvendi dhe të miratoj ligjin për mbylljen e duty free shopeve.

Por deri më tani nuk ka asnjë sinjal që opozita të votojë atë nëse mazhoranca nuk do të miratoj amendamentet e saj  për magazina doganore jashtë zonave doganore.

Gjasat janë të pakta pasi në mbledhjen e komisionit të ekonomisë drejtori i përgjithshëm i doganave Ferdinand Papadhima tha se mbyllja e këtyre magazinave do të jetë një hap mbrapa.

Sipas Papadhimës administrata e të cilit është kritikuar nga Fondi Monetar Ndërkombëtar në fund të shkurtit misioni i KAM Albania në Shqipëri, do të publikoj rezultatat e kontrolleve që kanë filluar në magazina doganore, që për opozitën janë vatrat e kondrabandës  dhe evazionit fiskal në vend./tvklan.al