Kompania Microsoft, duke filluar nga sot do të ketë degën e saj dhe në Shqipëri. Kryeministri Berisha dhe drejtori i Microsoft për Europën Juglindore kanë zyrtarizuar marrëveshjen strategjike për partneritet mes qeverisë Shqiptare dhe Microsoft. Marrëveshje kjo e nënshkruar vitin e shkuar në Edinburgh mes presidentit Microsoft Bill Gates dhe kryeministrit Berisha.
Sali Berisha: “Prania e Microsoft në Shqipëri është një lajm shumë i mirë. Një hap i rëndësishëm dhe një mbështetje e përpjekjeve tona për të çuar Shqipërinë në epokën e internetit. Ne jemi një vend i vogël, por që i kemi kushtuar një vëmendje të veçantë digjitalizimit, duke vendosur të gjitha kapacitetet tona. Përfshirë këtu dhe një buxhet të konsiderueshëm për të bërë të mundur finalizimin me sukses të projektit prioritar “Shqipëria në moshën e internetit”.
“Jemi të lumtur të njoftojmë se sot fillon prania direkte e Microsoft në Shqipëri, e angazhuar për partneritetin tonë strategjik me qeverinë e Shqipërisë dega jonë në Tiranë do të punojë për të treguar, se si ky partneritet mund të kontribuojë jo vetëm për perspektivën e përgjithshme ekonomike dhe sociale të të rinjve të arsimuar në Shqipëri, por edhe për integrimin e suksesshëm të bizneseve të afta lokale, shërbimeve efektive publike dhe më së fundmi perspektivës europiane të Shqipërisë.”
Sipas përfaqësuesve të kompanisë prania në Shqipëri e Microsoft Albania do të shërbejë si nxitës për zhvillimin më të shpejtë të teknologjisë së informacionit në vendin tonë. /tvklan.al
Gazetare: Elja Zotka