Një ditë pasi kryeministri deklaroi se do të heqë monopolin e fluturimeve ndërkombëtare, duke i hapur rrugën ndërtimit të aeroporteve të reja, mbërrijnë edhe ofertat e para nga investitorët.
Përfaqësues të kompanisë anglo-zvicerane ZUMAX, që vetëm dy muaj më parë prezantuan në Tiranë projektin gjigand prej 1.2 miliard eurosh, për ndërtimin e një porti kontenierësh në Vlorë bashkë më një zonë të lirë industriale, janë shprehur të interesuar edhe për ndërtimin e një aeroporti modern, i cili do të jetë tërësisht në det mjaft i ngjashëm me atë të Katarit. Kështu pohoi për televizionin Klan përfaqësuesi i kompanisë zoti Philipe George.
Philipe George: “Kompania Zumax ka gati projektin që krahas sportit dhe zonës së lirë të ndërtojë në Vlorë edhe një aeroport, pista e të cilit do të jetë në det.”
Duke komentuar zhvillimet e fundit në tregjet ndërkombëtare, zoti George tha, se kompania i qëndron besnike projektit të prezantuar në Tiranë. Në prani edhe të kryeministrit Berisha, i cili e mbështeti këtë investim. E tashmë janë në pritje të OK zyrtar nga ana e qeverisë shqiptare.
Philipe George: “Jemi të vendosur të vijojmë me projektin, madje duam të përshpejtojmë atë. Kriza financiare ndërkombëtare nuk ndikon tek ky projekt. Ne jemi gati të nisim punën sapo të marrim lejen nga qeveria, por nëse do të vijohet me vonesa mendojmë se Shqipëria do të humbë këtë mundësi investimi.”
Projekti më i madh i investimit i prezantuar ndonjëherë në Shqipëri me vlerën 1.2 miliard euro, tenton të kthejë Vlorën në portin më të fuqishëm në Mesdheun qendror, tashmë dhe me aeroport.
Krahas ndërtimit të një porti kontenierësh, investitorët britanik kërkojnë edhe ngritjen e një zone të lirë me një sipërfaqe prej rreth 850 Ha, pranë vendit ku po ndërtohet Petrolifera.
Zumax parashikon që brenda 10 vjetësh të hapë rreth 70 mijë vende të reja pune në vendin tonë. Kompania ka projekte për ndërtime portesh dhe parqesh industriale në vende të tjera në Mesdhe apo Vietnam./tvklan.al
Gazetar: Fjorald Zguro