Në gjirin e Vlorës krahas portit më të madh të konteniereve në rajon, do të ngrihet edhe një zonë e lirë ekonomike, e para e këtij lloji në vendin tonë ku pritet të investohen miliarda euro.
Zv/Ministri i Ekonomisë, Eno Bozdo, sqaron se bëhet fjalë për një park industrial ku qeveria shqiptare do të krijojë lehtësi të shumta fiskale për investitorët e huaj.
Eno Bozdo: “Zona ekonomike përfiton përjashtimin nga 2 taksat: taksa me vlerën e shtuar TVSH-ja dhe tarifa doganore. Po t’i shtosh këto përjashtimin nga këto 2 taksa, ti shtosh faktin që Shqipëria prezanton tashmë një regjim fiskal tej mase incentivues, një infrastrukturë rrugore dhe energjetike në përmirësim shumë të shpejt, një forcë punëtore të lirë edhe të kualifikuar. Atëherë të gjitha këto shtuar me pozicionin e saj gjeografik e bëjnë Shqipërinë një vend po thuajse ideal për të tërhequr investime të tilla të mëdhaja”.
Interesi për zonën e lirë e ka shfaqur tashmë kompania “Anglo-zvicerane ZUMAX”, interesi i të së cilës disa ditë më parë kryeministri Berisha i është përgjigjur pozitivisht duke dhënë OK-in për fillimin e punës për hapjen e një tenderi ndërkombëtar.
Përfaqësuesi i Kompanisë ZUMAX në Shqipëri, Kevin Paja, thotë se kjo zonë do të jetë pjesë e integruar e portit të kontenierëve.
Kevin Paja: “Zona e lirë ekonomike do të tërheq investitorë nga kontinerët të ndryshme të cilët do të jenë gjithashtu edhe operator portit kontenier, do të jenë klient të portit të kontenierëve. Zhvillimi i zonës së lirë do të sjell kompani të cilat do të përpunojnë dhe do të ripaketojnë mallrat e tyre për tregun europian dhe më gjerë. Vlera e investimit në zonën e lirë ekonomik do të jetë 1 miliard e 800 mijë euro”.
Numri dy i Ministrisë së Ekonomisë, shton se këto projekte pritet të hapin mese 60 mijë vende të reja pune në Vlorë ndërkohë që do të thithet një numër të madh kompanish ndërkombëtare për të investuar në hapësirën e kësaj zone ekonomike./tvklan.al
Gazetari: Fjorald Zguro