Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Kompanitë e telefonisë celulare në vend, nuk do të shesin më karta telefonike, pa regjistruar identitetin e abonentit. Ministri i Transportit dhe Telekomunikacionit ka bërë të ditur faktin, se një detyrim i tillë përcaktohet në ligjin shqiptar për ndërlidhjen dhe telefoninë.

Spartak Poçi:- “Qëllimi i iniciativës ka qenë, që neve mund të parandalojmë ndër të tjera edhe aktet e terrorizmit, sepse dhe për ngjarjen e 11 Shtatorit, nëpërmjet telefonave shqiptarë, ka pasur, apo kanë qarkulluar disa informacione me vlerë. Pra prokuroria kërkon në luftën e saj kundër krimit të organizuar, në vazhdim edhe të tentativës që ajo ka vazhdimisht, në raste konkrete brenda ligjit, të bëjë kontrollin e telefonit, të dijë edhe përdoruesve të telefonit, apo atyre që flasin”.

Gazetarja:- Kur do të konkretizohet kjo?

Spartak Poçi:- “Kjo tashmë është e mbyllur si çështje. Shoqëritë Vodafone dhe AMC, nuk kanë pasur kundërshtim për këtë çështje”.

Kjo gjë është kërkuar para disa javësh nga Prokuroria e Përgjithshme, me qëllim njohjen dhe identifikimin e personave që përdorin valët e telefonisë shqiptare./tvklan.al

Gazetare – Aranita Brahaj