Lajme Arkiva – TV Klan 2003
Në këtë ditë dalin punëtorët, por asnjë nga këta që shihni nuk kanë më moshë për të punuar. Komunistët në këtë tubim 1 Maji, kanë ftuar komitetin e punëtorëve dhe fshatarëve, gra dhe pioniere të ideve komuniste. Manifestimi dukej paqësor, por parullat ishin armiqësore. Imperializmi shkatërroi Shqipërinë, Lavdi Marksizëm-Leninizmit dhe ajo që nuk besohet, komunizmi është e ardhmja e Shqipërisë.
Ndryshe nga protestat e tjera me irritime politike, këtë herë duart e atyre që kanë korrur fitore, flisnin për hare, karafila e zambakë për të festuar. Nga sheshi “Nënë Tereza” ata kanë udhëtuar drejt bulevardit kryesor. Pensionistët kanë trumbetuar për punë.
Gazetarja:- Keni filluar të merrni hijen e Enverit, të Enver Hoxhës, me lule, në podiume, iu shikojmë njësojë si ai.
Hysni Milloshi:- “Lule mban çdo njeri, sa për Enver Hoxhën, atë nuk e imiton dot kush, do të kalojnë edhe ca mijëra vite që të vijë një Enver Hoxhë dhe askush nuk guxon që t’i afrohet një Himalaje si ai”.
Gazetarja:- Juve nuk iu kanë thënë se i ngjani, ja kështu me kostum, veshur bukur, me këto lule që i shpërndani dhe i hidhni kudo?
Hysni Milloshi:- “Unë kam një kostum, Enver Hoxha ishte madhështor, nga mendja, nga trupi, nga guximi, nga burrëria. Në ide unë jam nxënës, në pamje askush në botë nuk mund t’i afrohet Enver Hoxhës”.
Gazetarja:- Po këta dy djem më thoni pak, çfarë i keni, që ju shoqërojnë dhe s’ju ndahen asnjë minutë?
Hysni MIlloshi:- “Këta janë sekretarët e Komitetit Qendror të rinisë komuniste Qemal Stafa”.
Mbështetës të ideve komuniste duket se s’janë vetëm këta të palodhur, por të tjerë ditë e natë, përkthejnë veprat e Enverit. Duket se vetëm komunistët e kanë kujtuar 1 Majin si në Çikago, të paktën, ata kanë qenë të organizuar e më të shumtë në numër se sindikatat që sot ua donte puna ta kërkonin atë në sheshe./tvklan.al
Gazetare – Holta Zhiti