Përfaqësuesit e 5 Komuniteteve Fetare kryesore të vendit zhvilluan dëgjesën e parë publike në Ministrinë e Shëndetësisë në lidhje me projektligjin “Për Shëndetin Seksual dhe Riprodhues”. Në përfundim të takimit, Sekretari i Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë, Genti Kruja u shpreh se Komunitetet Fetare vijojnë të jenë kundër pikave që kanë të bëjnë me sterilizimin, abortin apo dhe nënat surrogato.
Genti Kruja, sekretar i Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë: Projektligji përmban disa pika që për ne janë shumë të rëndësishme që në këtë formë të mos kalojë, siç është sterilizmi, siç është rritja e moshës së abortit, nënat zëvendësuese apo surrogato dhe pjesë të tjera që përmban ky ligj. Komunitetet fetare në Shqipëri të cilët kanë një kontribut të jashtëzakonshëm jo vetëm në instrumentet shpirtërore apo ato morale e edukative me anë të institucioneve arsimore shprehen kundër këtij projektligji, duke i dhënë një rëndësi shumë të madhe familjes, e cila është në krizë dhe ka nevojë për mbështetje të politikave sociale të shtetit shqiptar dhe jo të ndërmarrë nisma për projektligje të tilla, të cilat e ndikojnë familjen shqiptare në krizën e saj.
Komunitetet Fetare theksojnë se do vijojnë sërish diskutimet dhe argumentimet e tyre qe projektligji mos te kaloje për miratim.
Genti Kruja, sekretar i Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë: Ne do të vazhdojmë me grupin e punës dhe me ekspertë, të paraqesim argumentet tona edhe një herë në lidhje me këtë projektligj, pse jo edhe në ligje të tjera të cilët e prekin drejtpërsëdrejti shoqërinë shqiptare. Ne jemi kundër jo vetëm për arsye etike, morale dhe fetare, por edhe për arsye shkencore, mjekësore e sociale.
Projektligji për “Për shëndetin seksual dhe riprodhues” i hedhur për konsultim publik deri më 16 Maj, ka hasur në shumë kundërshtime si nga shoqëria civile, organizatat e ndryshme e sidomos komunitetet fetare të vendit.
Klan News