Lajme Arkiva 2003

Pas deklaratës së Myftiut të Durrësit dhe anëtarit të kryesisë në Komunitetin Mysliman kundër mënyrave me të cilat po drejtohet ky komunitet ka reaguar nënkryetari i Komunitetit Mysliman duke i quajtur provokuese dhe jo islame këto deklarata në muajin e paqes dhe të harmonisë. Kryesia e komunitetit e cila është mbledhur sot ka marrë masat përkatëse.

“Zoti Kreshnik Osmani pezullohet nga të gjitha funksionet deri në përfundimin e muajit të Ramazanit. Dy, pas muajit të Ramazanit do të bëhet analiza e plotë e kësaj çështje. Profeti thotë: Zoti nuk ka nevojë për atë që braktis të ngrënët dhe të pirin dhe nuk braktis fjalën dhe punën e ligë”.

Në themel të divergjencave të Myftinisë së Durrësit janë paratë dhe mënyra e menaxhimit të pronave të komunitetit mysliman. Objekti që bie ndesh është kontrata për të shfrytëzuar 8000 metra katror truall në qendër të Durrësit.

“Myftinia e rrethit të Durrësit ka konstatuar shkelje për sa i përket truallit të klasifikuar vakëf në një sipërfaqe prej 8000 metra katrorë në qendër të qytetit, kryesia e komunitetit mysliman ka marrë vendim për lidhjen e një kontrate më një firmë ndërtimi nga qyteti i Fierit nëpërmjet së cilës i njeh asaj të drejtën e shfrytëzimit me ndërtim të kësaj sipërfaqeje prej 8000 metrash katrorë më një koeficient interesi për myftininë e Durrësit prej 25% në një kohë ka edhe firma të tjera të cilat propozojnë oferta që variojnë nga 27-30%.

Pjesa drejtuese e komunitetit e përjashton këtë mundësi duke e quajtur përdorje. Por gjithçka do të mësohet në analizën dhe do të vendoset pas muajit të Ramazanit./tvklan.al