Lajme Arkiva 2003
Kërkohej një mrekulli për të lumturuar një figurë bamirëseje, por ajo kishte bërë më shumë. Nënë Terezës bijës shqiptare pas vdekjes pritet ti jepet titulli i Lumturimit nga autoriteti më i lartë i Kishës në 19 Tetor.
Atë që se ka bërë kombi i saj e ndërmerr dhe e nderon vendi fqinj. Në kuadër të iniciativave që ka marrë Kisha Katolike me rastin e Lumturimit të Nënë Terezës, është edhe ky recital me këngë mbi jetën e saj. Kanë një titull të thënë nga vetë ajo “Ne jemi lapsi i Zotit”.
Një grup të rinjsh nga Italia sjell të gjallë kujtimin dhe bamirësinë e Nënës së të gjithëve. Figura e saj është sjellë ashtu njësoj. Me këmbët e zbathura, duart e mbledhura gati për lutje dhe trupin e kërrusur.
Kjo vjen dy muaj përpara Lumturimit të kësaj figure që ka falur edhe besimtarë të feve të ndryshme. Të rinjtë janë ftuar nga katedralja e kryeqytetit e pas kësaj do të prezantohen në Shkodër dhe në Durrës. Ndërsa për Monsinjor Rrok Mirditën vendi i saj Shqipëria është zgjuar vonë.
Monsinjor Rrok Mirdita: Në përgjithësi ne shqiptarët jemi në vonesë. Është një fjalë në çështje zbulimi i njerëzve të mëdhenj që janë me origjinë të gjakut tonë. Të tjerë të cilët duan të shfrytëzojnë rastin për të përfituar nga kjo figurë kaq madhore, shpesh herë spekulojnë për ta quajtur atë maqedonase apo të ndonjë vendi tjetër Ballkanik. Sigurisht shtetit i takon pikësëpari, sepse shteti posedon organizmat, mekanizmat të cilat janë të domosdoshme për ti dhënë atë lartësi dhe atë ndriçim kësaj figure që është figura e Nënë Terezës. Në vende të ndryshme nëpër botë janë vendosur bustet e saj shtatoret e Nënë Terezës. Këtu te ne është folur shumë, në realitet akoma nuk shikohet diçka.
Lumturimi i saj në 19 Tetor i paraprin shenjtërimit, titull që jepet pas pak vitesh./tvklan.al