Në një atmosfere festive, anëtarësimi i Shqipërisë në NATO mblodhi në kryeqytet mijëra qytetarë, të cilët u bashkuan nën moton “Një vend, një popull, një ëndërr”, pikërisht në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, dikur simboli i parakalimeve.
Sipari i festimeve për këtë ditë, që e rreshton Shqipërinë përkrah vendeve të Atlantikut të Veriut, u përshëndet nga kryetari i bashkisë së Tiranës, njëkohësisht dhe organizatorja e aktiviteteve kulturore me rastin e kësaj dite.
Duke iu drejtuar qytetarëve, si kontribuuesit më të mëdhenj të kësaj ëndrre tashmë të bërë realitet, Rama apeloi njëkohësisht dhe për zgjedhje të lira e të ndershme, në përmbushje të misionit të vazhduar.
Edi Rama: “Flamuri i Shqipërisë sot u ngrit mes flamujve të Aleancës së NATO-s jo vetëm për të na përfaqësuar ne shqiptarëve në familjen euroatlantike, por edhe për të mishëruar vlerat themeltare të asaj familjeje që janë demokracia, liria individuale dhe barazia para ligjit. Të gjitha këto vlera nuk mund të kuptohen pa zgjedhje absolutisht të lira dhe absolutisht të ndershme.”
Dhe pas këtij mesazhi të dhënë nga kryetari i bashkisë së Tiranës, nën ritmin e muzikës dhe performancave të ndryshme morën udhë aktivitetet kulturore të organizuara me rastin e hyrjes së Shqipërisë në NATO./tvklan.al