Lajme Arkiva – TV Klan 2003
Për herë të parë tre rivalët për postin e liderit të socialistëve janë ulur përballë anëtarësisë së partisë në konferencën e 10 të Tiranës. Konferencën që mbyll edhe fushatën elektorale për selinë rozë. Për gati katër orë zhvillimi i konferencës ishte i qetë, derisa ish-kryeministri Meta mori fjalën, ku u dëshmuan se ndryshe nga konferencat në rrethe, kësaj radhe salla ishte e ndarë përgjysmë.
Një pjesë e përfaqësisë reagoi dhe kërkoi ndërprerjen e fjalës së ish-kryeministrit Meta, ndërsa pjesa tjetër mbështeti teorinë e Metës, së kryetari i partisë Fatos Nano është zhytur në gjuetinë e shtrigave, se nuk mund të rifreskohet partia me drejtorë dhe biznesmenë të pashpirt, që teserën e përdorin për show televiziv, se socialistët nuk duhet të fshihen pas gjuetisë së shtrigave dhe se duhej dalë nga fjalori vulgar që përdorej mes njëri-tjetrit në konferencat e trukuara sipas Metës.
Ilir Meta:- “Me keqardhje konstatoj, se nuk jam i vetmi që beson se lidershipi aktual është zhytur jo vetëm në demagogji, por edhe në një gjueti shtrigash, për të nxjerrë dhe fabrikuar armiq dhe për të zhvendosur përgjegjësinë nga struktura drejtuese qeverisëse dhe partiake, drejt armiqve të caktuar në këto struktura, apo edhe drejt armiqve të caktuar edhe në bazën socialiste. Gjithashtu, nuk jam i vetmi që beson, se kjo filozofi dhe të tilla qëndrime nuk bëjnë asgjë tjetër vetëm se i shërbejnë rikthimit të frikshëm të opozitës së vjetër destruktive dhe liderit të saj destruktiv. Tani unë besoj, për të gjithë ata që nuk kanë durim të dëgjojnë, unë besoj që diskutanët pas meje, ju lutem, besoj që diskutantët pas meje, ndonjë prej tyre mund edhe të tërhiqet, në mënyrë që unë të kem mundësi të flas pak më gjatë. Së dyti, mua nuk më ka ndalur Sali Berisha me mitingashët e tij me automatik, për të folur me socialistët në shesh të Tropojës dhe jo të më ndalin këtu disa njerëz të futur për të më provokuar. PS nuk mund të jetë hipokrite”.
Ilir Meta i është përgjigjur deklaratave të kryetarit të partisë një ditë më parë, duke thënë, se nuk kërkon të bëhet kryeministër, pasi e ka pasur një post të tillë dhe se nuk ka frikë të kandidojë përball tij si kryetar partie.
Ilir Meta:- “Meta nuk ka merakun e pushtetit të tij, ka merakun e pushtetit tuaj, që biznesmenët që kanë ardhur në vitin 2001, të mos ju rrahin më, sepse pushtetin po ua marrin çdo ditë”.
Ilir Meta tha, se absurditeti i garës kongresuale qëndron në faktin se ekzistojnë vetëm dy platforma dhe tre kandidatë për kryetar. Rexhep Mejdani, kandidati alternativ i Fatos Nanos, gjatë fjalës së tij tha, se klima e kandidimit u keqinterpretua.
Rexhep Mejdani:- “Futja e një fryme aspak miqësore ndaj konkurrimit alternativ, këtë e ushqeu në mënyrë jo qytetare, deri anti-intelektuale dhe fushata e ndërmarrë në vetë agjendën e partisë, në kundërshtim të hapur me vendimin e PD, për barazi të këtij organi ndaj çdo kandidimi alternativ. Nuk arrijë të kuptojë sesi personalitete përfaqësuese e themeluese të partisë, si Limoz Dizdari, Sabit Brokaj, Ndre Legisi, Eduard Alushi, Flamur Rrogu etj, të përjashtohen me votë agresive nga përfaqësimi në kongres, ndërkohë që disa individë të dyshimtë dhe pa ndonjë kontribut konkret në parti, arrijnë të përfaqësohen deri në kongres”.
Fjala e kandidatit nuk ka mundur të mbajë gjallë interesin e pjesëmarrësve në sallë, ndaj kandidati tjetër Edi Rama mori përsipër të luaj rolin e avokatit.
Edi Rama:- “Unë nuk e kuptoj dot se çfarë pune më të madhe kishit ju për të bërë, që kërkonit shkurtimin e kohës së diskutimeve. Çfarë ju priste ju më shumë sot në shtepitë tuaja, se sa interesi i PS, se sa domosdoshmëria për të dalë nga kjo situatë, se sa nevoja për të rigjetur njëri-tjetrin, për cilat ide flisni ju, për cilat platforma e programe flisni ju, që nuk keni durimin të dëgjoni, kur të tjerët flasin. Idetë janë gjëja më e brishtë në komunikimin mes njerëzve. Unë nuk mendoj se ideja e mendimit ndryshe është një ide e re, por unë nuk mendojë, se në një parti ku lulëzon mendimi ndryshe, sallat bërtasin rroftë kryetari”.
Kandidati i tretë që shpalosi platformën në konferencën e Tiranës, kryetari aktual i partisë Fatos Nano ndryshe nga konferencat e mëparshme, nuk është prehur agresiv ndaj ish-kryeministrit Meta. Pa përmendur emra konkret, kryetari i partisë deklaroi se në parti do të lulëzojë mendimi ndryshe, por jo veprimi ndryshe. Konkurrenca elektorale për postin e kryetarit të partisë ka përqendruar vëmendjen e kryeministrit Fatos Nano ndaj rivalit Rama.
Fatos Nano:- “Sistemi ynë politik nuk është i qelbur dhe dallon diametralisht me atë që Edi e quajti të qelbur 12 vjet më parë në 10 vjetorin e vrasjes së John Lennon në Akademinë e Arteve. Qysh atëherë John Lennon nuk ka nevojë të vritet prapë …/tvklan.al
Gazetare – Arta Tozaj