Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Në konferencën e saj të dytë për Tiranën, Partia Demokracia Sociale kërkoi thellim të bashkëpunimit me të gjithë spektrin e majtë. Sërish u propozua krijimi i federatës së majtë shqiptare në një program të përbashkët politikë elektoral dhe qeverisës.

Paskal Milo: “Apelin tonë për krijimin e kësaj federate po ua drejtojmë edhe njëherë tjetër të gjithë drejtuesve të së majtës shqiptare, me shpresën se duke lënë mënjanë frymën e të komanduarit dhe të egoizmit partiak do të reflektohet për të hedhur hapa konkrete në përpjekjet koordinuese, për formimin e këtij organizimi shumë të domosdoshëm për fatet e mëtejshme të së majtës shqiptare”.

Por koalicioni për integrim midis partive të së majtës shqiptare, e ka zhgënjyer Demokracinë Sociale. Ne i kemi kërkuar me durim kryeministrit Nnao dhe sekretarit të përgjithshëm të PS Ruçi, gjatë gjithë kësaj kohe, të përmbushin detyrat të partisë sonë, tha kryetari Paskal Milo, por qëndrimi i tyre ka qenë mospërillës, agresiv dhe megaloman, tha Milo.

Paskal Milo: “Koalicioni për integrim është kthyer në një fasadë, ka mbetur një copë letër e pluhurosur në sirtarët e zyrave politike, ose më saktë i ka mbetur një skelet boshtor i plakur, që u trumbetua që në fillim si eliksiri që do të rinovonte disa mëndje të mykura dhe që do të shërbente si katalizator i zhvillimeve cilësore në qeverisjen e vendit”.

E ndërkaq, zoti Paskal Milo u shpreh se komisioni parlamentar i krijuar edhe me bekimin e shefit të zyrës së OSBE-së në Tiranë, synon ta orientojë procesin e ardhshëm zgjedhor, drejt krijimit të një sistemi partiak bipolar./tvklan.al

Gazetare: Danjela Kostandini