Në Doha, kryeqyteti i Katarit, zhvillohet konferenca e 7 e gazit natyrorë e cila mbledh së bashku liderë botërorë të kësaj industrie. Vizita e Kryeministrit Berisha është pritur me mjaft interes, duke konsideruar Shqipërinë si vend potencial për investime me bazë gazi natyrorë. Ky fakt konfirmohet nga përfaqësuesi i ASG Power Agim Gjinali, si një nga kompanitë pjesëmarrëse në konferencë.

Gjinali thotë se ekzistojnë të gjitha mundësitë që Shqipëria brenda një periudhe të shkurtër të shndërrohet në një ndër eksportuesit kryesor të gazit në Europë.

Agim Gjinali: “Faktikisht ka pas një impakt shumë pozitiv vizita e kryeministrit Berisha, sepse Shqipëria u paraqit si një shtet i cili mundet de fakto me ndërtimin e rigazifikimit në Fier me bo një kapacitet për Evropë … të furnizimit me lëndë të parë të gazit shumë të çmuar, me një kapacitet që nuk i jep as një rigazifikator tjetër në Evropë. Fakti se në Shqipëri do të bëhet rigazifikimi i gazit të lëngshëm, do të thotë se Shqipëria bëhet prodhues e furnitor i Evropës me sikurse 5% të kapaciteteve që Evropa ka me pas nevojë për gaz deri në vitin 2020”.

Por kompanitë në Katar kanë shprehur interes edhe në shumë fusha të tjera siç është dhe turizmi.

Agim Gjinali: “Aty është biseduar dhe për investime të mëdha nga ana e kompanive të tjera si Katar Investment Agency, psh, e cila është në fushën e turizmit edhe në zhvillimin e zonave bregdetare. Katari është në gjendje edhe me importu ujë faktikisht nga Shqipëria”.

Kompania Katar Petrolium është organizatore kryesore e kësaj konference. Përfaqësuesit e saj patën mundësinë t’i shprehin direkt kryeministrit Berisha, interesin e tyre për të qenë pjesë e projektit të rigazifikimit në Fier. Takimi u zhvillua  në Ministrinë e Energjetikës, ku së bashku me ministrin Alatia, u fol mbi mundësinë e bashkëpunimit në fushën e energjisë./tvklan.al

Gazetare: Menada Zaimi