Në Tiranë po zhvillohet konferenca dyditore për migracionin dhe impaktet sociale e ekonomike në shoqëri, organizuar nga OSBE -ja. Në fjalën e tij ministri i Brendshëm Nishani theksoi, se menaxhimi i kufijve i ka dhënë shtyse migrimit legal, si dhe mirëqenies ekonomike.
Bujar Nishani: “Menaxhimi efektiv i migrimit, inkurajon migrimin legal i cili ndërsa përmirëson nivelin e jetesës të emigranteve, ka dhe një impakt social ekonomik jo vetëm në vendin e origjinës, por edhe për vendin destinacion dhe atyre të transitit. Si rezultat, menaxhimi i migrimit mund të bëhet efektiv dhe i qëndrueshëm vetëm nëpërmjet një partneriteti midis vendeve të destinacionit, transitit dhe atyre të origjinës e realizuar kjo si në nivel rajonal ashtu dhe në nivel bilateral.”
I pranishëm ishte dhe ambasadori Bosch, i cili u ndal tek remitancat, të cilat shënuan ulje vitin e kaluar.
Robert Bosch: “Kemi një ulje të remitancave për vitin 2008 rreth 700 milion euro dhe kjo ka një impakt negativ mbi të ardhurat e biznesit dhe të ekonomisë në vend pasi Shqipëria është një ndër rajonet që ka më shumë emigrim. Shpresoj që të gjitha këto pika të diskutueshme dhe me rëndësi të identifikohen për të gjetur bashkëpunim dhe zgjidhje afatshkurtra ndërmjet vendeve në këtë konference dy ditore.”
Në aktivitet kishte përfaqësues nga 69 vende të Evropës të cilët do të shkëmbejnë përvojat dhe idetë lidhur me menaxhimin e migrimit dhe impaktin ekonomiko-social që shkakton./tvklan.al
Gazetare: Jolldiz Mitro