Lajme Arkiva 2003
Konferencat e Partisë Socialiste në rrethe startuan një ditë më parë në Mallakastër ku rivali i kryetarit të partisë Fatos Nano, kryebashkiaku i Tiranës Edi Rama u la jashtë dyerve të mbledhjes së socialistëve për shkak se prezenca e tij binte ndesh me rregulloren e partisë.
Gjatë kësaj jave konferencat mbahen në Kuçovë prej nga do të zgjidhen 7 delegatë për kongresin socialist, Kurbin ku zgjidhen 5 delegeatë, Rrogozhinë 4, 10 delegatë nga Kavaja, Përmeti 7, konferenca e Matit do të përzgjedhë 11 delegatë e po kaq edhe Saranda, konferenca e të dielës në Tepelenë 13 dhe 5 delegatë ne Peqin mbyllin turin e parë të garës kongresuale.
Në to nuk do të jetë i pranishëm kryetari i partisë Fatos Nano, i cili pritet të kthehet në atdhe në 21 Nëntor. Konferencat nderohen nga përfaqësia e Partisë Socialiste numri i të cilëve varion sipas qyteteve.
Vërehet një pjesëmarrje më e madhe e Partisë socialiste pikërisht në degët ku paralajmërohet se mund të zhvillohen debate si në Fier, Berat, Elbasan, Shkodër, Lushnje, Tirana rreth, Durrës, Pogradec, Vlorë, Korçë dhe qyteti i Tiranës ku do të marrin pjesë 4 përfaqësi të kryesisë socialiste në ditën përmbyllëse të konferencave në 6 Nëntor./tvklan.al