Edi Rama: “As ti, asnjeri nuk ka ardhur këtu me zor. Më fal një minutë, jo ulu. Të lutem ulu. Se kush pushon dhe kush flet këtu nuk e cakton ti, dakord. Secili me radhë ka të drejtë të thotë atë që mendon, se për këtë punë kemi ardhur këtu. Kemi ardhur për të njëjtin hall këtu tani.”
Ky ka qenë debati që kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama zhvilloi me disa banorët e Orikumit, të përfshire në një konflikt pronësie pak ditë më parë.
Duke thënë se ndodhej aty për të dëgjuar pretendimet e tyre, Rama iu është drejtuar në këtë mënyrë jo vetëm banorëve, por edhe mediave.
Edi Rama: “Për herë të fundit po ju them përpara se sa të vendosim ta bëjmë pa ju fare, po ju them për herë të fundit që ata njerëz që kanë ardhur këtu të dëgjojnë për hallin e tyre nuk kanë ardhur t’ju shikojnë juve nga mbrapa.”
Pasi tha se nuk ishte në këtë takim për të përdorur politikisht çështjen, Rama bëri këtë koment përpara banorëve.
Edi Rama: “Nuk kam ardhur këtu të bëj politikë me hallin tuaj. Gjëja që unë di dhe që të gjithë ju e dini është që Sali Berisha ka ardhur këtu në fushatë dhe ju ka thënë gjëja e parë që do të bëjë parlamenti kur të më jepni votën është t’i japë fund këtij problemi. Dhe jo vetëm nuk ka bërë këtë që ju premtoi, por ka bërë krejt të kundërtën e kësaj.”
Pas kritikave për parlamentin e ti kreu socialist e ka mbyllur takimin me banorët e Orikumit, me premtimin se opozita do vazhdojë të japë mbështetjen për dhënien e titujve të pronësisë përfituesve nga ligji 7501, jashtë sallës së kuvendit./tvklan.al
Gazetare: Ornela Hila