Lajme Arkiva – TV Klan 2004
Konflikt i hapur ndërmjet Presidencës dhe Ministrisë së Rendit Publik. Presidenti i Republikës Alfred Moisiu gjatë një takimi e krerë të rendit dhe drejtësisë, ka lëshuar akuza të rënda për punën e Ministrisë së Rendit dhe situatën kriminale në vend.
Presidenti Alfred Moisiu: “Shikojmë që kohët e fundit janë dukur maskat në vende të ndryshme, duke filluar nga kryeqyteti dhe qytete të tjera. Po kështu është një vërejtje me vend që na bëhet nga organizma ndërkombëtare, sepse ka disa rajone që rendi nuk është vendosur plotësisht. Po ashtu vihet re që në media nxirren persona q ëmë vonë dalin të pafajshëm. Mua më duket që kjo nuk është normale dhe duhet ndërprerë, nuk kemi të drejtë të nëpërkëmbin personalitetin e njerëzve. Ato do të dalin kur vërtetë është e vërtetuar plotësisht fajësia dhe përgjegjësia e tyre për shkeljen e ligjit, ose krimin e caktuar.”
Qëndrimi i ashpër i presidentit është kundërshtuar disa orë më pas nga ministri i rendit, në një deklaratë të zëdhënësit, ku thuhej se deklarimet e presidentit, po shkaktojnë konfuzion.
Florion Seriani: “Për shkak të konfuzionit të shkaktuar nga deklarimet e tij është e detyruar të paraqesë disa të dhëna, tëcilat i ka bërë të ditura edhe në këtë takim, nëpërmjet ministrit të rendit. Duke iu referuar këtyre të dhënave, të cilat kanë në brendësi të tyre edhe kontributin persona të presidentit të republikës, Ministria e Rendit Publik do të kërkojë informim profesional, të strukturave të tij të informacionit, për të mundësuar verifikimin e drejtpërdrejtë, të gjendjes reale të kriminalitetit.”
Ndërsa vetë Ministri i Rendit Toska nga Elbasani është shprehur, se Presidenti i Republikës:
Igli Toska: “Ka nevojë për më tepër informacion, strukturat informative të presidentit të republikës duhet që të marrin në mënyrë institucionale, nëpërmjet levave që ata kanë, informacionin nga Ministria e Rendit dhe Policia e Shtetit, në mënyrë që të mos ketë më mospërputhje të deklarimeve me shifrat reale që ka Policia e Shtetit në luftë kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve të paligjshme.”
Gjatë takimit në presidencë, Moisiu i është drejtuar edhe kryeprokurorit Sollaku, duke i kërkuar të përfundojë hetimin me dosjet e korrupsionit pas të cilave përfliten dhe emra politikanësh./tvklan.al