Kongresmeni amerikan, Eliot Engel, një njohës i mirë i zhvillimeve në Shqipëri i vlerëson zgjedhjet e 28 Qershorit si më të mirat që Shqipëria ka zhvilluar ndonjëherë.

Në një intervistë televizive zoti Engel thotë se me standardet e këtij procesi Shqipëria iu bashkua vendeve aleate të Perëndimit.

Eliot Engel: “Kësaj here për sa kam parë dhe jam informuar nga monitoruesit ndërkombëtarë dhe inspektorët e votimit këto zgjedhje ishin më të mirat, më të lirat dhe më të organizuarat në historinë e Shqipërisë dhe mendoj se është shumë me rëndësi kur ata e thonë këtë. Nuk po e them unë, por po e thonë inspektorët ndërkombëtare, të cilët janë neutralë dhe i qasen kësaj vetëm nga pikëvështrimi i organizimit dhe zhvillimit të tyre. Këto janë zgjedhjet e para të Shqipërisë që nga anëtarësimi i saj në NATO, gjë që mendoj se u ka dhënë rëndësi të veçantë. Dua ta uroj dhe përgëzoj popullin shqiptar që pati zgjedhje të lira dhe të ndershme, për daljen në votime në numër rekord dhë gëzohem shumë që Shqipëria iu bashkua parametrave të perëndimit, iu bashkua vendeve aleate, SHBA-ve, vendeve të BE-së dhe NATO-s.”

Kongresmeni Engel komenton dhe qëndrimet e partive politike pa votimit duke u bërë thirrje fituesve, Partisë Demokratike dhe aleatit të saj të ri në koalicionin qeverisës, LSI-së dhe Partisë Socialiste, gjithashtu, që të bashkëpunojnë për të mirën e vendit.

Eliot Engel: “Zgjedhjet janë të vështira. Gjatë fushatës thuhen gjëra të rënda. Kjo ndodh edhe tek ne në SHBA, ku thuhen gjëra dhe fjalë të rënda. Të gjithë i kujtojmë zgjedhjet problematike të vitit 2000 në SHBA mes George W.Bush dhe Al Gore, ku një numër i konsiderueshëm nga ne ishim të zhgënjyer me ato zgjedhje, por sapo u vendos se kush ishte fituesi, ne te gjithë i shtrënguam duart njëri-tjetrit dhe u bashkuam në luftën tonë të përbashkët, në luftën e SHBA-ve kundër terrorizmit pas 11 Shtatorit. Ne në Uashington polemizojmë dhe e kundërshtojmë njëri-tjetrin deri në ekstrem, por e kuptojmë që ka disa gjëra, të cilat duhet t’i bëjmë së bashku. Këshilla ime e vetme do të ishte, edhe pse populli shqiptar nuk ka nevojë për të, sepse është tërësisht i vetëdijshëm që palët dhe partitë politike tani duhet të punojnë së bashku për mirëqenien e Shqipërisë dhe popullit shqiptar. Të dyja palët duan ta shohin Shqipërinë duke prosperuar, të dyja palët shqetësohen dhe për vendin dhe dua t’u them të dyja palëve, dua t’u them edhe pjesëtarëve të koalicionit të ri, Sali Berishës e Ilir Metës dhe Edi Ramës gjithashtu që të punojnë së bashku sepse Shqipëria ka nevojë për të gjithë ndihmën e mundshme për ta parë vendin të unifikuar. I kam telefonuar kryeministrit Berisha për ta uruar për fitoren, sepse ishte me të vërtet një duel shumë i përafërt. Por fitorja është fitore dhe unë besoj se Berisha do të vazhdojë të bashkëpunojë me të gjithë në spektrin politik në Shqipëri. Unë i uroj koalicionit të ri gjithë të mirat dhe shpresoj se të gjithë në Shqipëri, si fituesit ashtu edhe humbësit, të punojnë së bashku.”

Në këtë kontekst kongresmeni Engel shpreh besimin se e ardhmja e afërme e Shqipërisë është në familjen e madhe evropiane.

Eliot Engel: “Një ditë shpresoj në të ardhmen e afërt, Shqipëria do të bëhet anëtare e BE-së. Është shumë me rëndësi që populli të kuptojë se këto zgjedhje janë të rëndësishme dhe numri i madh i votuesve tregon se Shqipëria me të vërtet është vend demokratik, vend që meriton tërësisht të jetë anëtare e NATO-s dhe në BE.”

Në këtë intervistë zoti Engel flet dhe për vizitën e tij të fundit në Shqipëri duke vënë theksin tek ndryshimet e mëdha dhe transformimi i shpejtë i vendit, tek ndërtimi i rrugës Durrës-Kukës, të cilën ai e vizitoi në muajin Maj.

AI vlerëson edhe atë që Shqipëria nuk e ka ndryshuar ndonjëherë, traditën e mikpritjes dhe premton se do të mbetet mik i shqiptarëve e se do të jetë gjithnjë në krah të Shqipërisë./tvklan.al