Kadastra dhe institucione të tjera të administratës publike, do të jenë dy projektet e para të Korporatës së Investimeve që pritet t’i shtohen ndërtimeve të reja të shumta të kryeqytetit.

Mes 10 studiove ndërkombëtare që paraqitën projekt-idetë e tyre përpara një jurie po ndërkombëtare, pjesë e së cilës ishte dhe kryeministri Rama, fituese u shpallën tre studio: E para që do të ndërtojë godinën e administratës publike është Coldefy nga Franca. Godina do të ketë pamje dhe do të ngrihet atje ku aktualisht ndodhet zyrat e Parkut të Delegacioneve dhe Aviacionit Civil.

Godina e dytë multifunksionale që do të ndërtohet pranë Bulevardit Zhan D’Ark, që aktualisht është godina e Qendrës Kombëtare të Biznesit do të ndërtohet nga bashkimi i studiove italiane Andrea Caputo dhe Soil.

Një tjetër studio italiane është shpallur fituese me projektin e godinës se Kadastrës, studio Baukuh. Godinë që do të ndërtohet në të njëjtin vend ku aktualisht janë zyrat e Hipotekës, në afërsi të shkollës “Harry Fultz”. E njëjta studio do të ndërtojë dhe godinën tjetër multifunksionale në një tjetër prona publike përgjatë rrugës “Muhamet Gjollesha”.

Kryeministri Rama tha se vendosja e administratës publike në këto godina i jep mundësi jo vetëm të kursehen miliona euro, që aktualisht shpenzohen për qiranë, por të kenë dhe kushte më dinjitoze.

“Institucionet publike paguajnë disa miliona euro në vit qera, për të ushtruar aktivitetin e tyre në mjedise që janë larg së qeni të denja për ambicien tonë të Shqipërisë 2030. paraqesin edhe probleme te vazhdueshme mirëmbajtje si rezultat i të qenit godina të vjetra të trashëguara nga periudha komuniste dhe njëkohësisht të përdorura për qëllime të reja që nuk përshtaten fare me ato mjedise”, tha Rama.

Arkitektura e këtyre objekteve të reja publike, Rama mendon se mund të ndikojë pozitivisht dhe tek turizmi.

Kryebashkiaku Veliaj vlerëson ndikimin që do të kenë në vlerën e pronës ku do të ngrihen këto objekte.

“Duam që të shohim se si në këto 4 vatra investimi do të prodhojë më shumë mirëqenie, edhe një rritje të vlerës imobiliare në të gjithë atë zonë. Jam i sigurt që në finale si çdo debat tjetër, si çdo diskutim që kemi pasur. Këtu nuk bëhet fjalë për të harruar historinë ose për të mohuar kontributet, këtu bëhet fjalë për të prodhuar një realitet të ri në Tiranën tonë”, tha Veliaj.

Tv Klan