Prishtina hodhi poshtë planin gjashtë pikësh të propozuar nga sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-Moon për vendosjen e misionit të EULEX-it në Kosovë.

Në një konferencë për media presidenti Sejdiu dhe kryeministri Thaçi deklaruan se plani ashtu siç është prezantuar sot prek kushtetutën e republikës.

Fatmir Sejdiu: “Janë çështje që s’kanë nevojë të elaborohen shumë, por në një formë apo në një formë tjetër me elementet e tyre janë pjesë e ndërhyrjes në strukturën e brendshme kushtetuese të republikës së Kosovës.”

Hashim Thaçi: “Vlerësojmë se për Kosovën elemente substanciale të gjashtë pikëshit të prezantuar në formën aktuale janë të papranueshme.”

Plani i sekretarit Ban Ki-Moon, i cili doli si rezultat i bisedimeve disamuajshe mes Nju Jorkut, Brukselit dhe Beogradit parashikimin e një policie etnike serbe, e cila zbaton ligjet e UNMIK dhe është e shkëputur nga zinxhiri komandues i policisë së Kosovës.

Një zgjidhje të ngjashme jepet edhe për gjyqësinë ashtu sikurse edhe për doganat. Përsa i përket misionit të EULEX-it, i pari i OKB-së propozon që ai të jetë neutral ndaj statusit derisa të mos bazohet në planin e Ahtisarit.

Fatmir Sejdiu: “Ne i çmojmë iniciativat, mbështetjen që i jepet procesit të dialogimit, por gjithmonë kemi theksuar dhe theksojmë se Kosova është shtet sovran dhe i pavarur”.

Hashim Thaçi: “Prishtina nuk vendos kushte, por sillet dhe merr përgjegjësi të reja në procesin e avancimit të zhvillimeve”.

Plani i sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, i cili iu prezantua sot lidershipit të Prishtinës përveçse ka implikime në kushtetutën e republikës ai ndërron tërësisht edhe mënyrën sesi është konceptuar misioni i EULEX-it, pra Ban Ki-Moon shndërron EULEX-in nga një mision evropian në një UNMIK të dytë./tvklan.al

Gazetar: Leonard Kërquki