Arkiva Lajme – Tv Klan 1999

Arritja e paqes në Kosovë dhe dhënia e mundësisë për t’u kthyer në vendin e tyre ka larguar kosovarët nga kampet ku u strehuan që kur nisi dëbimi masiv. Shumë pak kosovarë kanë mbetur në Pallatin e Sportit, që para pak kohësh ishte më i tejmbushuri dhe problematiku.  

Shqetësimi i tyre është se kur do të kthehen në Kosovë. Me padurim presin ditën e largimit. Këta që kane mbetur këtu janë njerëzit më të varfër që nuk ju ka mbetur asnjë lek në xhep. Çdo pasdite këtu bëhet regjistrimi i njerëzve dhe prenotohen vendet për në autobuzë, por me 40 marka pagesë.  

Kosovari 1:- “Nuk di kur do kthehem, si të kthehem pa lekë. Kur na kanë futur na kanë plaçkitur farë gjer në metelikun e fundit. Këta që posedojnë furgonë e autobuzë kërkojnë 50 deri 70 marka. Atëhere si të kthehem unë?

Kosovari 2:- “Për shkak të mungesës së mjeteve materiale, sepse nuk kemi mjete të kthehemi në Kosovë, përndryshe sikurse të kishim menjëherë do të ktheheshim në Kosovë”.

Kosovarja:- “Pse nuk jemi nisë se s’kemi pare. Me ç’ka me shku, autobuzi falas s’na çon, se s’kena kërrkënd. Në punë jo, rrogë jo”.

Pra ai që nuk ka para mbetet këtu duke pritur një kthim të organizuar./tvklan.al

Gazetare – Holta Zhiti