Goran Bogdanovic ministër për Kosovën në qeverinë e Serbisë dhe 7 parlamentarë serb nuk u lejuan të hyjnë në territorin e Kosovës, pasi nuk kishin kërkuar leje nga institucionet kosovare. Bogdanovic dhe deputetët e kuvendit të Serbisë tentuan të kalojën në pikën kufitare Dheu i Bardhë, por u refuzuan për shkak të mungesës së pasaportave.
Sipas Behar Selimit, shefit të policisë kufitare ndalesa e deputetëve serb është bërë për shkak se ata nuk respektuan procedurat e hyrjes së delegacioneve të huaja në Kosovë të parapara me ligj. Ai tha se parlamentarëve serb u është dhënë arsyetimi me shkrim për refuzimin e hyrjes në Kosovë. Sipas tij kjo nuk ishte asgjë spektakolare, por vetëm zbatim i ligjit për menaxhimin e integruar të kufijve.
Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi, tha se ndalimi nuk është çështje politike, sipas tij gjithkush duhet t’i respektojë ligjet e një shteti tjetër.
Hashim Thaçi: “Ata janë deputetë të një vendi, të një shteti tjetër. Kosova është shtet i pavarur, sovran dhe demokratik, nuk është çështje politike është çështje ligjore. Ne e kemi obligim ta respektojmë kushtetutën e republikës së Kosovës.”
Qëllimi i parlamentarëve serb ishte vizita në fshatin Ranilluk të komunës së Dardanës, i populluar me serb, ku do të mbahej mbledhja e komisionit parlamentar për Kosovën të kuvendit të Serbisë. Kjo ndalesë përforcon qëndrimin e Prishtinës zyrtare se për të hyrë në Kosovë paraprakisht duhet pasur lej edhe dokumentacion të plotë./tvklan.al