Lajme Arkiva 2003

Komiteti i Përgjithshëm Drejtues i Partisë Socialiste është mbledhur për herë të fundit për të miratuar raportin që do i kaloj kongresit të gjashtë të partisë, lista me anëtarët e rinj të KPD-së si dhe anëtarët e rinj të garancive statusore të cilat do të kryesojnë sërish nga aktuali Mark Nikolli.

Lista me anëtarët e rinj të KPD-së përmban 177 emra. Kësaj liste i shtohen automatikish dhe 38 kryetarë të partisë në rrethe, ndërkohë që KPD-ja e deri tanishme ka pasur vetëm 119 anëtarë, kryetari i Partisë socialiste fatos Nano në përshëndetje të mbledhjes tha se KPD-ja mbetet laborator i debatit dhe vendimmarrjes politike qeverisëse me gjurmë të pashlyeshme në 4 vitet e fundit të zhvillimit të vendit.

Fatos Nano: Debatet politike të zhvilluara midis nesh edhe këtu në institucionin politik drejtues midis kongreseve i kanë shërbyer konsolidimit të mëtejshëm të frymës së demokracisë së brendshme në Partinë socialiste. Roli juaj përfaqësues ka qenë dhe mbetet vendimtar në zgjidhjen edhe të disa praktikave bllokuese në institucionet e shtetit ku ne vazhdojmë të jemi në mazhorancë. Unë jam i bindur se askush nuk hyn në kongresin e 6 të partisë me kredenciale të ndotura.

Lista e anëtarëve të Komitetit të Përgjithshëm Drejtues dhe Komisionit Zgjedhor të Garancive Statutore pas miratimit nga kjo mbledhje do i kalojë përfaqësisë së kongresit, e cila do i jap dorën e fundit ndryshimeve në lista përpara votimit nga delegatët e votimit të kongresit të 6 të partisë.

Në mbledhjen e komitetit të përgjithshëm drejtues sekretari i përgjithshëm Gramoz Ruçi ka kundërshtuar ashtu si në kryesi dy ditë më parë propozimin nga kryeministri Fatos Nano për të futur në KPD të gjithë zëvendës ministrat.

Gramoz Ruçi: Që të propozohesh kanidat për anëtar të Komitetit të Përgjithshëm Drejtues, duhet të kesh tre vjet anëtar partie. Ata zëvendës ministra që nuk e kanë këtë nuk mund të propozohen.

Ndërsa ish kryeministri meta ka kundërshtuar raportin që do të mbahet në kongres. Sipas tij raporti është i njëanshëm.

Ilir Meta: Është kërkuar që të reflektohet për disa mosrealizime serioze veçanërisht për sa i takon investimeve si gjatë vitit të kaluar ashtu edhe gjatë vitit të tanishëm. E cila të cenojë në angazhimet tona programore dhe politike dhe qeveritare, njëkohësisht është kërkuar që ky raport të jetë më vizionar, pra jo vetëm të bëjë një raport, analizë më objektive se sa ajo që bëmë 4 vite që shkuan, por edhe për 4 vitet që vijnë deri në vitin 2007, sikurse i takon objektivave politike të Partisë Socialiste, por edhe atyre që kanë të bëjnë me qeverisjen e vendit dhe me programin e integrimit evropian. Njëkohësisht është kritikuar fakti se janë bërë interpretime për çështje të caktuara në raport, të cilat nuk janë çështje që gëzojnë konsensus, por kur ka një ndarje që kanë të bëjnë me konsensuse politike siç është ajo e çregjistrimit apo siç është ajo e bashkimit apo ndarjes së dy mandateve që të evitohet pasqyrimi dhe argumentimi i njëanshëm i këtyre çështjeve dhe shumë vërejtje të tjera./tvklan.al