Lajme Arkiva – TV Klan 2003

260 mijë dollarë mendohet të jetë shuma që do të shpenzojë politika shqiptare për kutitë e reja të votimeve të Tetorit. Kutitë që do të jenë hermetike dhe transparente, të cilat mendohet të jenë më të besueshme se ato të zgjedhjeve të kaluar, do të sillen para procesit zgjedhor bashkiak në Shqipëri nga një firmë angleze.

Firma ka më se një javë që ka filluar prodhimin e këtyre kutive. Petrit Gjokutaj, drejtor i drejtorisë së regjistrimit të zgjedhësve, shpjegon për TV Klan punën për listat paraprake të zgjedhësve.

Gazetarja:- Zoti Gjokutaj, çfarë mund të na thoni për parapërgatitjet që janë bërë me listat e zgjedhësve për zgjedhjet që janë në Tetor.

Petrit Gjokutaj:- “Puna për përgatitjen e listës së zgjedhësve, ka filluar që në muajin Mars të këtij viti. Me rishikimin e listave të zgjedhjeve të kaluara në zyrat e gjendjes civile, proces i cili gjatë muajit Qershor përfundoi në të gjitha komunat dhe bashkitë dhe tani vazhdon puna dhe është në përfundim hedhja e tyre në bazën e të dhënave dhe kontrolli i tyre. Mendohet që nga 25 Korriku të ketë dalë lista paraprake e zgjedhësve”.

Po ashtu ai thekson, se qeveria shqiptare ka miratuar një fond prej 200 milion lekësh të reja për përgatitjen e këtyre listave. Në të vërtetë, Gjokutaj shpjegon, se fondi i kërkuar nga KQZ, ishte 296 milion lekë të reja. Ai tregon se 96 milion lekët e munguar, u arritën të gjendeshin nga donator të jashtëm. Pas mbarimit të procesit kontrollues nga KQZ, fillon faza e dytë e rishikimit të listave nga komisionet e qeverive vendore./tvklan.al