Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Presidenti i Republikës Alfred Moisiu është takuar me dy bashkëkryetarët e komisionit bipartizan Et’hem Ruka dhe Jemin Gjana, në vijimësi të nismës së marrë nga kreu i shtetit për zgjidhjen e situatës së krijuar, pas zgjedhjes së anëtarit të KQZ, Dëshira Subashi. Socialisti Et’hem Ruka ka pranuar pas takimit, se është prishur balancimi i raportit politik mes anëtarëve të KQZ. Ndërsa demokrati Jemin Gjana insiston, se vendi i Subashit i përket opozitës.

Et’hem Ruka:- “KQZ është i pa balancuar, sepse ai është ngritur mbi bazën e një ligji tjetër, mbi bazën e një parimi tjetër, mbi parimin e paanshmërisë, ky ishte kodi i vjetër elektoral. Ky anëtar që ikën sot, me cilin do të zëvendësohet, nga e djathta apo e majta, në përputhje me skemën? Kjo nuk është përcaktuar asgjëkund”.

Jemin Gjana:- “Ne dhamë konsideratat tona si dy nënshkrues të marrëveshjeve në emër të dy partive, zgjidhjen duhet ta gjejnë ata që kanë thyer ligjin. Po në këtë mendim ishte dhe zoti Ruka”.

Deklarata e Rukës bie në kundërshtim me sekretarin e përgjithshëm të PS Gramoz Ruçi, sipas të cilit zgjedhjet nuk rrezikohen, ndaj mazhoranca nuk ka pse të tërhiqet.

Gramoz Ruçi:- “Nuk ka asnjë element dhe asnjë përgjegjësi mazhoranca për të reflektuar. Në se do të kishte një gjë të tillë, mazhoranca ka treguar seriozitetin dhe përgjegjësinë e duhur që të mos bëjë gabime, që të mendojë reflektime”./tvklan.al

Gazetare – Arta Tozaj