Gjithsej 33 parti të regjistruara në katër koalicione zgjedhore, do të garojnë në zgjedhjet e përgjithshme të 28 qershorit. Me votim unanim, 7 vota pro, KQZ miratoi katër koalicionet, “Aleanca e Ndryshimit”, “Bashkimi për Ndryshim”, “Aleanca Socialiste për Integrim” dhe “Aleanca Poli i Lirisë”. 

Koalicioni më i madh është ai i kryesuar nga PD e më pas vijnë me radhë Partia Republikane, Aleanca Demokratike, Agrare Ambientaliste, Partia Bashkimi Liberal Demokrat”, Partia për Drejtësi dhe Integrim, Lëvizja e Legalitetit, Lëvizja Demokristiane, Balli Kombëtar dhe Balli Kombëtar Demokrat.

Në koalicionin e majtë kryeson PS, PSD, PBDNJ, Demokracia Sociale dhe Grupimi 99′. Ndërkaq, me LSI janë bashkuar Partia Socialiste e Vërtetë 91, Partia e Gjelbër Shqiptare, Lëvizja e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut dhe Toleranca e Re duke formuar kështu Aleancën Socialiste për Integrim.

Nën emrin e koalicionit “Poli i Lirisë” janë regjistruar partitë, Partia Demokristiane, Lëvizja për Zhvillim Kombëtar, Partia Bashkimi Demokrat, Partia Konservatore, Rruga e lirisë, Partia e Reformave Demokratike. KQZ-ja ka miratuar po ashtu edhe 124 vëzhguesit e Komitetit Shqiptar të Helsinkit, të cilët do të monitorojnë zgjedhjet./tvklan.al