Komiteti ndërministror për integrimin miratoi raportin për çështjen e liberalizimit të vizave që do ti shkojë Komisionit Evropian.
Paralelisht tha kryeministri Berisha qeveria po punon për të përmbushur të gjitha detyrimet e saj në këtë funksion.
Sali Berisha: “Sot miratojmë raportin, ky raport shkon në Komisionin Evropian vlerësohet, sërish mundet nga tetori të vijë një ekip i tyre për të parë … të gjithë problematikën. Dokumentet po prodhohen të cilësisë më të lartë, ka një shtim të marrjes së tyre, të pasaportave biometrike, por do tu japim përgjigje edhe një sërë çështjesh tjera siç është zgjidhja e problemit të qendrës ndërinstitucionale të rojës bregdetare. Përparësi do të ketë standardi evropian në kontrollin e rojeve kufitare, bregdetare.”
Ishte rasti që kryeministri Berisha të ripërsëriste afatet e shpallura tashmë se kur do të realizohet ky proces.
Sali Berisha: “Kanë ardhur komisione shumë serioze në Komisioni Evropian, kanë punuar bashkërisht me agjencitë tona dhe kanë shqyrtuar të gjitha kriteret një nga një, kanë bërë një vlerësim pozitiv në tërësi, por kanë lënë dhe detyra që ne duhet tu japim me shpejtësinë më të madhe, me seriozitetin më të madh përgjigjen e merituara. Objektivi ynë është siç kemi deklaruar viti i parë i mandatit të dytë dhe ky objektiv mandati u bë realitet dhe ne duhet të bëjmë realitet premtimin tonë.”
Kryeministri kërkoi një paraqitje sa më të mirë të punës së agjencive të tilla siç është ajo e luftës kundër pastrimit të parave apo dhe inspektoratit të lartë të kontrollit dhe deklarimit të pasurive.
Kryeministri foli dhe për një vendim të Gjykatës së Lartë së vitit 2007 që kufizon sikurse tha konfiskimin e pasurive të vendosura nëpërmjet veprimtarive kriminale, të cilën e konsideroi të papranueshëm.
Për këtë qëllim Berisha paralajmëroi një vendimmarrje ligjore bazuar në praktikën britanike të këtij lloji.
Sali Berisha: “Ky vendim i Gjykatës së Lartë, i viti 2007 kufizon mundësinë e rrënimit të bosëve të krimit. Se po nuk ua rrënove ekonominë atyre pushteti u mbahet. Ndaj dhe ne të marrim ligjin e fundit që ka votuar parlamenti britanik nuk mund të pengohet. Ne nuk mund të kufizohemi në shembjen e perandorisë ekonomike të krimit.”
Një tjetër vendim në të cilin u ndal kryeministri ishte dhe ligji kundër diskriminimit, një ligj që ka të bëjë me qëndrimet ndaj pakicave, por jo atyre etnike.
Kryeministri tha se pavarësisht debatit që mund të ngjallë diskriminimi është i papranueshëm, duke sjellë si shembull në këtë rast martesat brenda së njëjtës gjini.
Sali Berisha: “Diskriminim të shpallur nuk ka, por ka të pa shpallur se është njëra anë të vësh simbol ylberin dhe ana tjetër është të mos kesh qenë i zoti të kurorëzosh qoftë dhe një çift të vetëm. Çfarë synon kjo? Kjo synon thjesht vendosjen mbi baza ligjore dhe jo diskriminuese. Ja pra edhe probleme intime ne i bëjmë transparente këtu.”/tvklan.al
Gazetare: Menada Zaimi