“Arrogancë”, ky është epiteti që ka zgjedhur Ilir Meta për të baraspeshuar deklarimet më të fundit të kryeministrit Berisha. Meta iu referuar për këtë mos shkarkimit nga detyra të drejtorit të përgjithshëm të tatimeve Arben Sefgjini, si dhe paralajmërimit për të reformuar Gjykatën Kushtetuese. Kreu i LSI akuzoi Berishën se po sfidon institucionet e pavarura.
Ilir Meta: “Duke mos shkarkuar një drejtor të besuar të tij të pandehur që akuzohet për vrasje, si dhe njëkohësisht duke paralajmëruar për ndëshkime, Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, për qëndrimin e saj plotësisht të drejtë kundër ligjit të gjobave ndaj biznesit.”
Meta foli edhe për referendumin, duke shprehur habinë mbi reagimin kundër zhvillimit të tij nga PS.
Ilir Meta: “Do të isha jo i habitur në rast se do të ishte Berisha dhe PD që do t’i kundërvihej vullnetit tonë që populli shqiptar të shprehet me referendum, sepse Berisha ka qenë kundër asaj kushtetute. Habitem se si PS bën avokatin e mos mbajtjes së referendumit.”
Meta u shpreh i sigurt në mbajtjen e referendumit, ndërsa ripërsëriti se për këtë qëllim do të sigurohet mbështetje e gjerë popullore. /tvklan.al
Gazetare: Menada Zaimi