Reforma në arsim për arritjen e standardeve europiane do të jetë fusha prioritare ku do të përqendrohet programi qeverisës i Lëvizja Socialiste për Integrim. Kreu i LSI-së, Ilir Meta, gjatë një takimi me një panel profesorësh e mësuesish ka shpalosur disa nga masat që do të ndërmerren në funksion të arsimit.
Ilir Meta: “Në qendër të reformës sonë do të jetë rivlerësimi i figurës së nderuar e të respektuar të mësuesit. Paga e tyre do të dyfishohet brenda mandatit të ardhshëm qeverisës, por jo vetëm kaq. Mësuesi do të respektohet në tërësinë e misionit tij fisnik si edukator në rritjen e autonomisë së tij akademike, në arsimin para universitar dhe në adoptimin e konceptit të ri të profesoratit universitar”.
Kryetari i LSI-së, ka theksuar se brenda 4 viteve të ardhshme, do të ristrukturohet mbi 80 % e infrastrukturës së shkollave në përqasje me standardet europiane.
Lideri i LSI-së me rastin e festës së 7 marsit ka vizituar mësuesen e tij të parë Eleni Theodhori. Në ditën e mësuesve Meta ka përshëndetur të gjithë mësuesit dhe pedagoget.
Ilir Meta: “Dhe me këtë rast do të uroja të gjithë mësuesit e Shqipërisë, gjithë pedagogët dhe pedagoget, sepse kjo është një ditë shumë e rëndësishme, është një ditë e cila është një festë për të gjithë shqiptarët, është një festë për fëmijët, është një festë për prindërit, për gjithë gjeneratat”./tvklan.al
Gazetar: Fjorald Zguro