Lajme Arkiva – TV Klan 2003
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës Hashim Thaçi është shprehur i gatshëm të takohet me përfaqësuesit e shtetit serb, pavarësisht nga paralajmërimet, se po të hynte në Serbi, mund të arrestohet.
Kjo deklaratë e Thaçit vjen më shumë se një javë pasi u arrestua në aeroportin e Budapestit, pas një urdhri arresti të nxjerrë nga Serbia në vitin 1993. Por pas ndërhyrjes së autoriteteve ndërkombëtare Thaçi u lirua.
Për të përditshme “Blic” të Beogradit, kreu i PDK është shprehur se po i shqyrton ftesat që i kanë bërë nënkryetari i qeverisë së Serbisë, Nebojsha Çoviç dhe kryetari i këshillit për Kosovën Momçillo Trajkoviç. Thaçi është shprehur, se beson që bisedat për problemet e përditshme, praktike midis Prishtinës dhe Beogradit, do të fillojnë së shpejti.
“Në këtë vështrim pres që Washingtoni dhe Brukseli do të angazhohen për rolin shumë më aktivë në procesin e bisedave mes Prishtinës dhe Beogradit. Ky proces duhet të krijojë mundësi për anëtarësimin europian të të dy shteteve”, përfundoi Thaçi./tvklan.al
Gazetare – Danjela Kostandini