Pasaportat biometrike janë të standardeve të larta të sigurisë. Kjo deklaratë u bë në Tiranë nga presidenti i Policisë Federale Kriminale të Gjermanisë, Jorg Ziercke, gjatë një vizitë në qendrën e prodhimit të këtyre dokumenteve.
Jorg Ziercke: “Më duhet të them se jam shumë i impresionuar. Nga njëra anë standarde shumë të larta të prodhimit dhe nga ana tjetër standarde shumë të larta të sigurisë. Është afër perfeksionit.”
Ndërkohë për Ministrin e Brendshëm Lulzim Basha në qendër të bisedimeve me Ziercke ka qenë bashkëpunimi i të dy policive.
Lulzim Basha: “Natyrisht procesi i liberalizmit të vizave ka qenë dhe do të jetë në qendër të vëmendjes edhe në vizitën e presidentit të Policisë Federale Gjermane dhe në këtë kuadër arritjet e policisë shqiptare në luftën kundër krimit janë padyshim një nga faktorët kryesorë ku mbështetemi në kërkesën tonë për një proces të shpejtë dhe një vendimmarrje të shpejtë për heqjen e vizave.”
Më herët presidenti i Policisë Federale Kriminale të Gjermanisë ka qenë në një vizitë në Drejtorinë e Përgjithshme të policisë ku është njohur me sistemin e kontrollit Tims të kufijve./tvklan.al
Gazetar: Eno Luarasi